Një javë festival, nga Mazzini tek sozitë e “Aerosmith”
Alma Mile
Kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen e tyre dhe së shpejti do të jenë në Shqipëri. Nga data 11-16 gusht, këngëtarë e grupe rroku me emër, jo vetëm në vendin fqinj, do të interpretojnë live në stadiumin “Flamurtari” të qytetit të Vlorës. “Vlora Wave 2009” titullohet Festivali Ndërkombëtar i Muzikës, i cili do të zhvillohet, për herë të parë, në muajin gusht, në qytetin e Vlorës. Gjatë ditëve të festivalit do të ngjiten në skenën vlonjate të tjerë grupe e këngëtarë me emër. Ndër ta mund të përmendim këngëtaren energjike Alexia, një ndër artistet më të dashura, jo vetëm në Itali, Marco Masini, David Knopfler, për të vijuar me grupe si “La fame di Camilla”, në përbërje të të cilit është një i ri shqiptar, Ermal Meta, apo grupi “Eurosmith”, një grup italian, i cili u krijua në vitin 1997 për nder të grupit të njohur të rrokut “Aerosmith”. Madje, lideri i grupit, Luca Celleti, ka një ngjashmëri të madhe vizive me idhullin e tij, këngëtarin Steven Tyler të “Aerosmith”. Nuk ka qenë e lehtë për organizatorët të “bindin” pjesëmarrësit e këtij edicioni. Madje, mësohet se kanë qenë të shumtë në numër artistët me të cilët kanë kontaktuar, mes të cilëve dhe Anna Oxa, Gigi d’Alessio, Gianluca Grignani etj. Por më në fund arritën të hartonin një program të pasur. Në këtë festival, i cili është i pari aktivitet i këtij lloji dhe i këtyre përmasave në Shqipëri, në krah të emrave të mëdhenj të muzikës botërore do të gjejnë hapësirën e tyre dhe artistët shqiptarë, të cilët do të interpretojnë krijimet e tyre më të mira. I shpërndarë në gjashtë net (11-16 gusht), çdo njëra prej tyre do të ketë të veçantën e vet, madje është strukturuar mbi bazën e “tematikave”. Do të ketë një natë “Legjendë”, ku do të interpretojnë yje legjendarë rroku, “Kantautor”, “Folk” etj. Do të jenë mbrëmje të gjata plot argëtim, që do të nisin në orën 18:00 e do të përfundojnë në agim. Është një staf i tërë profesionistësh që po merret edhe me detajet më të imëta të festivalit. Stafi realizues, nën drejtimin artistik të Giancarlo Passarella, kanë nxjerrë nga duart e tyre ngjarje të rëndësishme kulturore në Itali, mes të cilave dhe “Festival bar”.
Sipas ideatorit të këtij aktiviteti, Arlind Hajro, i cili drejton dhe shoqatën kulturore me të njëjtin emër, festivali zhvillohet me mbështetjen dhe nën kujdesin e Bashkisë së Vlorës, të cilët kanë ofruar gjithë infrastrukturën e mundshme për organizimin e kësaj ngjarjeje kulturore. Sipas organizatorëve, kjo është një ide e hershme, e cila më në fund po bëhet realitet dhe pikërisht në pikun e sezonit turistik, kur numri i turistëve tre apo katërfishohet dhe, për organizatorët, mesazhi që jep ky festival është shumë i rëndësishëm, sidomos për pushuesit e huaj. Festivali, i cili do të zhvillohet në stadiumin “Flamurtari”, mendohet të sjellë jo vetëm argëtim për pushuesit, që për këtë sezon kanë zgjedhur bregun e Vlorës. Drejtoria e aktiviteteve kulturore në bashkinë e qytetit ka menduar që të ardhurat që do të sigurohen nga shitja e biletave të koncerteve të shkojnë për bamirësi. Mes institucioneve të shumta që kanë nevojë për mbështetje, është përzgjedhur Qendra e Zhvillimit të Fëmijëve, ku trajtohen 22 fëmijë dhe adoleshentë me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore. Festivali do të nisë në datën 11 gusht. Të parët që do të ngrenë siparin janë Paolo Meneguzzi, “La fame di Camilla”, “Pink cake”. Dita e dytë do të vijojë me Hamada Chadli, “Eurosmith” dhe “Luna Pop” e kështu me radhë. Organizatorët sigurojnë se deri në fillimin e festivalit, programi do të detajohet më tej edhe me emrat e artistëve shqiptarë.
Programi
11 gusht
Paolo Meneguzi
La Fame Di Camilla
Pink Cake
12 gusht
Hamada Chadli
“Eurosmith”
“Luna pop”
13 gusht
Marco Masini
Nobraino
14 gusht
Alexia
“Organica”
15 gusht
David Knopfler
Marco Baroni
Silenzio & Sexy
16 gusht
Mr. Tuka Pox
Eifel 65
Luca Di Risio
Elia Style Fashion Show