E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzaka jashtë, rikthehet Abraham

 

ADRIATIK BALLA

Tirana do të hasë në vështirësi të mëdha në ndeshjen e kthimit ndaj Stabekut, pasi në formacionin titullar ka dëmtime të shumta dhe kjo mund të kushtëzojë lojën e skuadrës, madje dhe fatet e kualifikimit. Kështu, mesfushori Gjergji Muzaka nuk do të jetë në duelin e kthimit ndaj kampionëve norvegjezë, pasi është i dëmtuar dhe dëmtimi i tij është i një shkalle serioze. Pas analizave të bëra së fundmi, Muzaka ka konstatuar se ka çarje në menisk, gjë që ka bindur stafin ta lërë jashtë. Kjo është një nga mungesat më të rëndësishme për bardheblutë, që do t’u duhet të marrim masat për zëvendësimin e tij. Muzaka nuk bëri një ndeshje të pëlqyeshme në duelin e parë ndaj norvegjezëve, por ashtu siç është shprehur vetë lojtari, dëmtimi nuk e ka lënë të dilte në maksimumin e tij. Dëmtimin nuk ka mundur ta zbulojë gjatë seancave stërvitore, por vetëm në fushën e lojës në “Qemal Stafa”, kur ngarkesa fizike ka qenë shumë e lartë dhe presioni shumë i madh. Vetë trajneri Ilija Lonçareviç e ka cilësuar mungesën e Muzakës mjaft të rëndësishme dhe me pasoja për lojën e skuadrës. Gjithsesi, ai ka theksuar se do të bëhen lëvizjet e duhura që kjo mungesë të mos ndihet. Ndërkohë, një lajm i mirë vjen për skuadrën dhe dashamirësit e saj. Mbrojtësi nigerian Abraham Alechenu ka arritur të pajiset me vizë dhe e sigurt është se do të jetë në formacion ndaj Stabekut të martën. Mbrojtësit i kishin refuzuar vizën dy herë në Ambasadën Daneze për shkak të problemeve me regjistrimin e tij, si pasojë e paraqitjes së një pasaporte të vjetër. Një ndikim nga lart ka bërë që në formë miqësore të zgjidhej dhe ky problem dhe Abraham do të jetë në krahun e majtë të mbrojtjes, duke sjellë besim te trajneri Lonçareviç. Ndërkohë, në pikëpyetje mbetet edhe kapiteni Devi Muka, që dje shfaqi një shenjë përmirësimi të dukshëm, pasi tërheqja muskulore që pati nga ndeshja nuk është e një shkalle të rëndë, teksa tekniku kroat u shpreh me rezerva për një aktivizim të tij në duelin e dytë me norvegjezët. Mjekët i kanë rekomanduar të mos luajë, pasi mund të dëmtohet më keq, por një dritare përmirësimi për të mund të bëjë të ndodhë ndonjë mrekulli në lidhje me një aktivizim të mundshëm të kapitenit Muka. Pra siç shihet, dëmtimet kanë sjellë jo pak probleme në skuadër, pavarësisht se stafi mendon se ka elementë cilësorë që do t’i zëvendësojë ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›