E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kënga e këngëve” mbyll festivalin e Butrintit

 

Me shumë dashuri është mbyllur festivali i 10-të ndërkombëtar i teatrove “Butrinti 2000”. I ka takuar trupës së të rinjve francezë që të finalizojnë këtë edicion, duke realizuar për herë të parë në skenë erosin e Biblës, që është “Kantiku i kantikëve”, me regji të Catalina Buzoianu. Një trupë e vogël e organizuar nga shoqata kulturore franko-rumune “L’association Mnemosyne”, në përbërje të së cilës ishin balerinë me kombësi nga vende të ndryshme të botës, ka performuar vargjet biblike nën muzikën rrok, një adaptim që vjen po për herë të parë në Butrint. “Kantiku i kantikëve” (Kënga e këngëve”, është një nga librat më të ndjerë dhe të frymëzuar të Biblës, kushtuar dashurisë. Trajtesa e tekstit biblik e shoqëruar me këngë, aktrim dhe kërcim është shfaqja e dytë që ndryshon atmosferën antike të Butrintit, nga teatri klasik dhe ai modern. Ndërsa “Kënga e këngëve” është parë si një tekst thellësisht erotik, ku forca e dashurisë është e fortë si vdekja. Tre aktorë, kërcimtarë dhe këngëtarë kanë realizuar ndjeshmëritë biblike për të treguar se erotizmi i shenjtë, i dalë nga një libër, simbolizon në një kontekst tjetër dhe dashurinë e popullit të Izraelit për mbretin e tij. Erotizmi dhe dhimbja e humbjes së dashurisë - kalojnë në një përjetim jo thjesht imagjinar, por në një thellësi mendimi për ta përjetuar fjalën në ëmbëlsinë e saj. Kritikët e kanë vlerësuar mbrëmjen franceze, duke u shprehur për një finale plot kënaqësi, që nuk çmohet në vlerën e parave, si një sjellje kjo për të tërhequr vëmendjen e ministrisë, që “dashuritë” si Festivali i Butrintit të mos shpërfillen. Trupa franceze mbylli festivalin, i cili këtë vit pati për të ftuar pesë trupa teatrore nga Italia, Greqia, Kosova, për herë të parë Turqia dhe Franca, ku u gërshetuan së bashku fjala, lëvizjet dhe muzika. Në këtë edicion erdhën disa shfaqje interesante që ofruan një mënyrë të re leximi, të literaturës antike e klasike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›