E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forlan i fundosi anglezët

Ishin këpucët që e përfunduan karrierën e Diego Forlanit në Manchester United. Disa mund të thonë se ai i kishte harruar këpucët sportive në Amerikën e Jugut kur u largua nga Independiente për në Old Trafford në transferimin e vlefshëm 6.9 milionë funta më 2002, para se të shënonte vetëm 17 gola në 98 paraqitje për Manchester Unitedin.

Por, pavarësisht mungesës së golave, ishin thumbat e këpucëve të tij ato që përcollën kalimin e tij në Villarreal në gusht të vitit 2004. “Sir Alex Ferguson kërkoi që unë të luaj me këpucë me thumba të gjatë, që i përshtaten fushave të lagura, por ndihesha më rehat me të shkurtra. I kisha premtuar se do t’i ndërroj, por nuk e bëra dhe kundër Chelseas kam rrëshqitur para portës dhe humba një rast të mirë. Më pas kam nxituar në zhveshtore për të ndërruar këpucët, por Ferguson më zuri. Ai i mori këpucët dhe i hodhi ato.

Kjo ishte ndeshja ime e fundit për Manchester Unitedin”, tregoi më parë Forlan, përcjell e përditshmja angleze Daily Telegraph në rrëfimin e saj për sulmuesin uruguaian. Mirëpo, prej largimit nga Old Trafford, Forlan është shndërruar në njërin prej golashënuesve më të mirë në Evropë. Dy herë fitues i Këpucës së Artë, me Villarrealin e më pas Atletico Madridin, Forlan ka shtuar zemërimin e përkrahësve të futbollit anglez, duke shuar ambiciet e Liverpoolit dhe Fulhamit këtë sezon. Mirëpo, nuk duhet harruar se ai dështoi plotësisht në Manchester United, ku u desh të presë gjashtë muaj dhe 27 ndeshje për të shënuar golin e parë, një penallti kundër Maccabi Haifas.

Pothuajse çdo top që godiste Forlan përfundonte në radhën Z të stadiumit Old Trafford dhe në vend të shprehjes së dëshpërimit, ai çdo herë reagonte me një buzëqeshje të pikëlluar. Kur shënoi golin e tij të parë në Premierligë, në fitoren 2-1 ndaj Southamptonit në nëntor 2002, Forlan e hoqi fanellën e tij, e solli rreth kokës e më pas kaloi dy minutat e ardhshëm në përpjekje ta rikthejë atë, pasi ndeshja kishte vazhduar.

1 dhjetor 2002, Manchester United ishte mysafir në Anfield Road kundër rivalit Liverpool. Forlan nuk kishte dhënë paralajmërim për atë që do të vinte, por dy gola brenga tre minutave i siguruan fitoren Manchester Unitedit, ndërsa Forlanit pije falas në pjesën e kuqe të qytetit të Manchesterit.

Golat e tij u përcollën me brohoritjet “Ai vjen nga Uruguai dhe e bën Liverpoolin të qajë”, kor që u dëgjua edhe në javët e kaluara pasi Forlan shënoi dy herë për Atleticon kundër Liverpoolit, duke eliminuar ekipin e Rafael Benitezit në gjysmëfinale të Europa League. Ai e bëri përsëri kundër Fulhamit në finalen e Hamburgut. Dy gola të tjerë shtuan dënimin e Forlanit ndaj klubeve angleze.

Kur u largua nga Manchester United më 2004, askush nuk kishte pritur një ringjallje të tij në Spanjë, por askush në Angli nuk mund të mohojë suksesin e Forlanit. Aktualisht, pas problemeve të vazhdueshme të Wayne Rooneyt dhe barrën e tij për shënimin e golave, shumëkush në United tani mund të mendojë se si do të kishin qenë gjërat nëse Forlan do të kishte qenë ende në klub në fanellën e kuqe me këpucët me thumba të shkurtër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›