Pozita e dytë është sukses

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka mbrojtur skuadrën e tij, derisa mund të përballet me një tjetër sezon pa titull të fituar. Wenger është kritikuar nga disa seksione të tifozëve të Arsenalit për dështimin të përfundojë pritjen për titull që vazhdon nga suksesi në FA Cup më 2005.
Topxhinjtë u befasuan nga Birmingham në finalen e Carling Cup, u mposhtën nga Barcelona në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve, ndërsa aktualisht janë shtatë pikë prapa liderit të Premierligës, Manchester United. Mirëpo, Wenger mendon se ky edicion mund të konsiderohet i suksesshëm edhe nëse skuadra përsëri nuk fiton asnjë titull.
“Është momenti vendimtar kur ne duhet të kemi besim te këta futbollistë, të tregojmë fuqi dhe të mos dëgjojmë mendimet e njerëzve që nuk kanë punuar as gjysmë dite në futboll”, tha ai.
“Ata nuk e dinë se sa punë e madhe nevojitet për një ekip të tillë dhe sa fuqi mendore qëndron prapa një ekipi të tillë. Ne jemi në pozitë të fuqishme. Është proces i punës së një klubi të vërtetë, punës si trajner dhe nuk është vetëm blerja e një futbollisti për X para. Sukses është të bëni maksimumin me talentin që keni, të jeni vazhdimisht në krye. Për mua ky është sukses. Nëse Manchester United është më i mirë se ne, duhet t’i themi urime. Por, ajo që ka rëndësi është se duhet të japim gjithçka për t’i mposhtur dhe ky për mua është sukses”, përfundoi ai.