Vrasësja e nënës: E kisha inat
POGRADEC - Vrasje e paralajmëruar. Kështu është konsideruar krimi që ndodhi brenda familjes në Pogradec, ku vajza 28-vjeçare vrau me një plumb në zemër nënën që e birësoi që kur ajo ishte një vjeçe. Anila Angjo pritet të dalë sot para togave të zeza nga ku do të njihet me vlerësimin e masës së sigurisë. Ajo tashmë akuzohet për vrasjen me dashje me armë zjarri pistoletë të nënës 65-vjeçare, Shpresa Angjo. Burime nga policia bënë të ditur se vrasja është kryer nga 28-vjeçarja nën efektin e alkoolit. Të njëjtat burime bënë të ditur se vajza e ka mësuar krimin e kryer me dorën e saj disa orë pas ngjarjes, kur i kishte dalë disi efekti i pijes. Mësohet se Anila Angjo kishte shenja depresive, çka dyshohet të ketë qenë një tjetër shkak që e ka shtyrë atë të kryejë krimin e rëndë. “E kisha inat nënën time, prandaj e vrava. Ashtu ma tha mendja në ato momente. Kisha vazhdimisht konflikte pasi unë kthehesha vonë në shtëpi”. g.a