E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi, Nikoliç dhe Koshtunica, marrëveshje për qeverinë e re



Ndërsa proeuropianët me në krye presidentin Boris Tadiç fituan zgjedhjet, Partia Radikale me në krye Tomisllav Nikoliç dhe lideri i koalicionit të Partisë Demokratike të Serbisë dhe Serbisë së Re, Vojislav Koshtunica, nuk kanë humbur kohë për formimin e paritë së re serbe. Gjatë ditës së djeshme Nikoliç konfirmoi arritjen e një marrëveshjeje me Koshtunicën për parimet e qeverisë. Për formimin e partisë është i nevojshëm bashkimi me Partinë Socialiste, e cila në të shkuarën ka mbështetur ish-diktatorin Millosheviç. Sipas nënkryetarit të PRS-së, është rënë dakord që Partisë Socialiste të Serbisë t’i dërgohet një ftesë për të parë nëse edhe ata pajtohen me parimet prej të cilave duhet të udhëhiqet Qeveria e re. Lideri i radikalëve vlerësoi se “nuk bëhet fjalë për atë nëse Serbia është për afrimin me Bashkimin Europian, por për kushtin themelor, se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë”. Ndërkohë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Havier Solana, ka shprehur mbështetjen për secilën qeveri serbe e cila do të sigurojë qëndrueshmëri në Serbi. Sipas tij është shumë e qartë ajo që ka zgjedhur populli serb nëpërmjet zgjedhjeve. Solana shfaqi shpresën se në bazën e rezultateve zgjedhore do të formohet një koalicion dhe qeveri e cila do ti lëvizë mjetet dhe potencialet në drejtim të Bashkimit Europian. “Ne do të dëshironim një koalicion të qëndrueshëm sepse është më mirë të bashkëpunohet me një qeveri me qëllim të lëvizjes së shpejtë përpara të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-asocimit nga ana e jonë si dhe qeveria gjithashtu të zbatojë kushtet jo vetëm të Bashkimit Europian, por edhe të komunitetit ndërkombëtar”, - u shpreh Solana. Formimin e qeverisë serbe dhe ecjen përpara e kanë përshëndetur edhe përfaqësuesit e SHBA-ve. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon Mekormak u shpreh se vendimet rreth koalicioneve janë në dorë të drejtuesve dhe popullit serb. “Të dhënat paraprake tregojnë se një parti ka mundësinë që të drejtojë përpjekjet për të formuar një koalicion qeveritar”, - tha zëdhënësi i DASH-it duke kujtuar se “SHBA-të kanë nxitur Serbinë të shohë përpara dhe jo nga e shkuara, të shohë drejt një të ardhme të ndryshme, një të ardhme tjetër me Europën dhe Bashkimin Europian”. Lidhur me zgjedhjet lokale serbe në Kosovë kryeadministratori Joakim Ryker ka përsëritur sërish se për mbajtjen e tyre në Kosovë asnjëherë nuk është njoftuar zyrtarisht UNMIK-u dhe për këtë arsye ato janë të pavlefshme. Ryker i bëri këto deklarata duke komentuar zërat e ekstremistëve serbë për krijimin e parlamentit paralel serb në Kosovë.

Tetovë, BDI-ja në miting me thirrje kundër dhunës
Pas incidentit të dhunshëm ndaj Ali Ahmetit, BDI-ja ka zhvilluar gjatë ditë së djeshme në Tetovë një miting nën parullën “Mjaft dhunës”, ku morën pjesë disa mijëra qytetarë. Lideri i kësaj partie bëri thirrje për t’i thënë PO ardhmërisë, por jo dhunës.
Gjatë fjalës së tij në miting, Ahmeti bëri thirrje për ndalimin e dhunës psikike dhe për unitet sepse vetëm në këtë mënyrë sipas tij, mund t’i thuhet stop projekteve antishqiptare. Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase ka arrestuar si të dyshuar për atentatin ndaj liderit të BDI-së Ahmeti Faruk Iljazin nga Reçica e Madhe e Tetovës. Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski tha se i dyshuari do të merret në pyetje rreth motiveve të sulmit si dhe përfshirjes eventuale të personave të tjerë në incident. Atentati ndaj kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim ndodhi kur lideri, Ali Ahmeti po zhvillonte një vizitë në fshatin Rakovec të komunës së Bogovinës dhe makina e tij u sulmua me armë zjarri. Ai i shpëtoi atentatit falë automjetit të blinduar me të cilin po udhëtonte. Incidentet janë dënuar nga ambasada e SHBA-ve dhe ajo e BE-së në Shkup. Në një reagim të ambasadës amerikane thuhet se “dhuna dhe frikësimi nuk kanë vend në procesin demokratik".

14 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›