Fillon kriza, java mbyllet me një rritje të lehtë të çmimeve të ushqimeve
Ervin Koçi
Çmimet mesatare të shitjes së ushqimeve në fund të kësaj jave, në tregjet e vendit kanë shënuar një rritje të lehtë, kundrejt javës së kaluar, bënë të ditur burime zyrtare nga drejtoria e Statistikës në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Sipas specialistëve të kësaj ministrie, rritja e kërkesës së konsumatorëve për ushqime vendase si dhe fundi i sezonit të prodhimit për disa prodhimeve bujqësore, po ndikojnë në ndryshimin e çmimit të tregtimit të ushqimeve, kryesisht atyre bujqësore.
Statistikat evidentojnë se në tregjet e shitjes me pakicë, çmimet e produkteve bujqësore (fruta-perime) prodhime vendi apo importi, janë rritur mesatarisht me rreth 2 për qind. Ndërkohë që në pikat e shumicës prej disa ditësh, këto artikuj ruajnë nivel të ndryshueshëm çmimesh. Tendenca e rritjes së çmimit vihet re edhe në produktet e bulmetit, ku djathi i bardhe nga 380 lekë/kg, shitet 400 lekë/kg, djathi kaçkavall nga 672 lekë/kg, tregtohet 700 lekë/kg, gjalpi nga 330,8 lekë/kg, blihet me 350 lekë/kg etj. Me çmime të stabilizuara rezultojnë artikujt e grupit “mish-vezë”, bënë të ditur burime të MBUMK-së. Por lidhur me këtë situatë nuk është prononcuar akoma INSTAT-i i cili është dhe institucioni i cili çdo muaj bën dhe vrojtimet e tij në tregjet e vendit dhe nxjerr indeksin e çmimeve të ndryshme të artikujve të konsumit.
Parashikimet e BSH-së
Banka e Shqipërisë njoftoi dje se ekonomia shqiptare në fund të 3-mujorit të dytë të vitit 2008 vazhdon të karakterizohet nga një qëndrueshmëri e përgjithshme makroekonomike, e pasqyruar kryesisht në mbajtjen e inflacionit nën kontroll në rrethanat kur aktiviteti ekonomik i vendit po ecën sipas pritshmërive të mëparshme, të BSH-së. Sipas këtyre burimeve, disa ditë më parë INSTAT-i publikoi shifrën e inflacionit për muajin gusht 2008, sipas të cilës inflacioni vjetor u ndal në nivelin 2,5 për qind. Pas një periudhe 12-mujore me norma inflacioni rreth nivelit 4- 4,5 për qind, shifrat e paraqitura nga INSTAT-i kanë qenë kësaj here në përputhje dhe me parashikimet e BSH-së. Por, ka qenë MBUMK-ja ajo që ka prishur parashikimet, ose të paktën ka rrëzuar poshtë pretendimet deri tani të BSH-së. Ndërkohë vlerësohet se në muajt në vazhdim inflacioni do të luhatet rreth vlerës 3 për qind, aq sa ç’është dhe vlera sasiore e objektivit të BSH-së. Por pavarësisht kësaj, thekson Banka Qendrore, rreziqet për devijimin e inflacionit janë ende prezente dhe më së shumti, lidhen me zhvillimet ndërkombëtare. Në planin e brendshëm, bën të ditur BSH-ja, rreziqet kryesore janë të lidhura me ndonjë përkeqësim të mundshëm të situatës energjetike si dhe me implikime të mundshme të situatës fiskale në të ardhmen.
Kreditimi i lartë
Sipas BSH-së, gjatë kësaj periudhe kreditimi për ekonominë ka regjistruar qëndrueshmëri në ritmet e rritjes, duke u bërë burim kryesor i zgjerimit të ofertës së parasë. Ndërkohë që politikat monetare dhe fiskale kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, duke kontrolluar tendencat inflacioniste të kahut të kërkesës. Në 3-mujorin e dytë të këtij viti, sistemi bankar në Shqipëri, kaloi në një fazë të vrullshme zhvillimi dhe promovimi produktesh të reja. Shumë banka po zbatojnë politika agresive marketingu, nëpërmjet të cilave reklamohen kredi me terma dhe destinacione të ndryshme për individët, ashtu sikurse janë ofruar përqindje atraktive për grumbullimin e depozitave. Po kështu, një zhvillim tjetër ka të bëjë me zgjerimin e vazhdueshëm të rrjetit të degëve dhe të agjencive nga ana e sistemit, në përgjithësi. Vetëm gjatë vitit 2008, janë hapur 73 degë dhe agjenci të reja si dhe janë në proces për t’u hapur 15 të tilla.
22 Shtator 2008