POETEKA – NJË LËVIZJE KULTURORE
Arian LEKA (President i Festivalit)
POETEKA nuk është një veprimtari, por një lëvizje kulturore. Ajo krijoi për herë të parë edhe te ne një hapësirë të gjerë, të plotë e të posaçme për poezinë.
POETEKA është e integruar. Ajo është lidhur tashmë në rrjetin e 11 festivaleve prestigjioze europiane. POETEKA jepemerr. Ajo ka çfarë të ofrojë në lëmin e poezisë. Ajo është vitrina më e madhe kulturore për poezinë shqipe. Me numrat e saj, revista POETEKA tashmë shkon në institucione dhe organizma vendimtare të ruajtjes së kujtesës: biblioteka, festivale, shkrimtarë e kritikë të mirënjohur botërorë.
POETEKA, përveç ringjalljes së kultit të lashtë të poezisë, shërben edhe si një vel i magjishëm dashurie. Me rreth 300 poetë të ftuar në katër edicionet e saj, POETEKA i sjell miq Shqipërisë, dhe jo miq dosido, por pena të çmuara e të mprehta nga e gjithë bota, autorë të lirë, pa paragjykime, të cilët mbushur me vlerësim për potencialet kulturore e turistike të Shqipërisë, kanë shkruar dhe përhapur e opinionet e tyre më të mira, në të dobi të vendit tonë dhe shkrimtarëve të tij.
POETEKA ka fituar fuqi emërtuese. Sot, në kohën kur debati për vendosjen e emrave ka arritur në zenit, POETEKA shërben si shembulli më i mirë i dëlirësisë dhe i pikasjes së vlerave, pa dorëzani politike. Emërtimi - Porta POETEKA - një prej portave të restauruara të mureve bizantine të Durrësit, krejt natyrshëm dhe përfillur prej banorëve të Durrësit, tregon shumë.
POETEKA është një stil jete. Ajo nuk mbetet vetëm te poezia, por ka gjetur edhe një vend për gjërat e rralla, të cilat ofrohen si të panjohura dhe të harruara për ne e për të ftuarit tanë: instrumentet muzikore, veshjet popullore, kultet e lashta detare, ringjallja e formave të moçme poetike, shtegtimet, gatesat tradicionale dhe recetat e përmendura të poetëve. Te POETEKA, ashtu si dikur në kohërat kur lindi, poezia vjen e shoqëruar nga artet e tjera dhe u prin atyre. Poetët i kanë dhuruar shije të rralla botës. Përmes POETEKËS, ne kemi një mundësi më shumë t’i nderojmë ata.
POETEKA është arkeologe dhe restauratore. Ajo bën diçka më tepër sesa kaq. POETEKA vlerëson dhe nxjerr në pah pasurinë tonë të madhe kulturore. Përmes leximeve të poetëve të ftuar në Festivalin POETEKA, monumentet e antikitetit në Durrës, Berat e Apoloni, kështjellat në Shkodër, Krujë dhe Elbasan, si dhe galeritë e artit dhe institucionet e kulturës në Tiranë, marrin jetë nga veprimtaritë dhe bëhen pjesë e së përditshmes të komunitetit.
POETEKA nuk është e kufizuar në kohë. Ajo ka një shtrirje gjithëvjetore. Kur përfundon POETEKA si festival, mbeten botimet e shumta që përgatiten, mbetet revista POETEKA, mbetet sfida poetike evropiane dhe prania e një mungese që na shtyn të ruajmë gjithçka që tashmë ka zënë vend dhe krijon vlera.
22 Shtator 2008