Të jesh shkrimtar në Rumani
Ndërrimi i sistemit nuk më shtiu frikën, as panikun, sepse mes meje dhe regjimit të shkuar marrëdhëniet patën qënë të ftohta, shpërfillëse e pa shanse. Përparova në të shkruar sikur të mos kish ndodhur asgjë. Po aq lirshëm pata menduar edhe më parë, por dikur çenzura verbane i gjuante për t'i zhdukur fjalët e pavarura me një këmbëngulje djallëzore dhe shumë prej nesh shpëtonim si nga vrima e gjilpërës. I kishin frikë shkrimtarët. Shkrimtarët s`kishin topa, pushkë, revolverë, mirpo kishin fjalë(t), pakrahasimisht më të rrezikshme se të gjitha armët njëheresh. Sot frika ndaj fjalëve është gjithaq e madhe. Vetëm se gjahtarët e fjalëve nuk ngjajnë me binjakët e tyre të dikurshëm. Tani kanë pushtet financiar dhe mund t'i blejnë fjalët, jo ato të librave letrarë, si në kohë të komunizmit, por ato të shtypit, radios, televizionit. Të jesh shkrimtar në Rumani nënkupton të kesh vetëdijën e vetmisë së sigurt, iluzionin e jetës dhe frymëzimin e revoltës.
Iolanda MALAMEN
Nuk do të ndalem mbi pesëdhjetë vitet e komunizmit, sepse, ashtu siç thotë një fjalë e urtë tejet e përhapur te ne: do të flisja “për litarin në shtëpinë e të varurit”. Ishte periudha kur letërsia mbijetoi me dyer të mbyllura, dyer tek të cilat ngjisnim veshët, që të mund të dëgjojmë pa u nginjur. Tortura morale lypte dyfaqësi dhe përulje. E them me dorë në zemër se ishim gjithsesi fatlumë, të lirë që të rrëmonim në ujrat e nëndheshme të ligjërimit. Pas të tmerrshmit proletkultizëm, kur shkrimtarët u mbushën me zgjyrën e ideologjisë komuniste dhe shumë syresh u vetëvranë nga pikëpamja letrare, njëfarë shpirti liberal, plot risi, por sidomos virtytet e kritikës letrare u lejuan si në një tip loje symbyllas: unë po bëj sikur s'të shoh, ti po bën sikur më kap. Për këtë arsye, të paktën tre breza shkrimtarësh (vitet '60, '70, '80) ia dolën mbanë, me mangësi të vogla a më pak të vogla, të bëjnë e të botojnë letërsi, ndonëse hera-herës u tundej para sysh dajaku ndëshkimtar. Falë një mrekullie të pandryshueshme, libri i huaj përshkonte fuqishëm vëmendjen tonë, me përkthime të shkëlqyera. Vetëkuptohet: libri që nuk përmbante sulme të drejtpërdrejta, antikomuniste. Isha mjaft e re aty nga fillimi i viteve '70, që të mund të kuptoja rëndësinë e takimit me shkrimtarë nga e gjithë bota. Lexoja me uri, në një gjendje dehjeje e lartimi, libër pas libri, pa peshuar në secilin çast mungesën e moralit të një sistemi që dukej i patundshëm. Durova me shpirt ndër dhëmbë trajtat më të frikshme të tjetërsimit, duke ditur se makthi ideologjik, të paktën në letërsi, nuk lind vetëm përbindësha.
Nuk i bëra asnjë lëshim sistemit, nuk u hoqa zvarrë më gjunjë para a pas tij, nuk i lypa “peshkun e artë”, nuk korra kurrfarë fryti të mundshëm nga trupi i tij i dyndur nga shkurret. Kam pasur gjithmonë ndjesinë se letërsia është ajo që më shpëton, ma vegon më qartë të tashmen si dhe të ardhmen. Ndërrimi i sistemit nuk më shtiu frikën, as panikun, sepse mes meje dhe regjimit të shkuar marrëdhëniet patën qënë të ftohta, shpërfillëse e pa shanse. Përparova në të shkruar sikur të mos kish ndodhur asgjë. Po aq lirshëm pata menduar edhe më parë, por dikur çenzura verbane i gjuante për t'i zhdukur fjalët e pavarura me një këmbëngulje djallëzore dhe shumë prej nesh shpëtonim si nga vrima e gjilpërës. I kishin frikë shkrimtarët. Shkrimtarët s`kishin topa, pushkë, revolverë, mirpo kishin fjalë(t), pakrahasimisht më të rrezikshme se të gjitha armët njëheresh. Sot frika ndaj fjalëve është gjithaq e madhe. Vetëm se gjahtarët e fjalëve nuk ngjajnë me binjakët e tyre të dikurshëm. Tani kanë pushtet financiar dhe mund t'i blejnë fjalët, jo ato të librave letrarë, si në kohë të komunizmit, por ato të shtypit, radios, televizionit.
Të jesh shkrimtar në Rumani nënkupton të kesh vetëdijën e vetmisë së sigurt, iluzionin e jetës dhe frymëzimin e revoltës.
Shkrimtari rumun jeton në një pritje mendjeqartë. Ai e sfidon përgjithësisht politikën dhe rri me vështrimin ngulur drejt Perëndimit, nga ku mund t'i vijë, - po pati fat, dikur, - fama. Fama domethënë edhe kamja, të cilën shkrimtari rumun s'para e ka. Ai është një qenie plot qëndresë e prodhimtari, por jeta nuk e ka mësuar ende të ketë besim vetëm në gëzimet e vogla.
Arsyeja më thotë se, që të jesh shkrimtar në Rumani duhet, si puna e Janusit, të qeshësh me njërën faqe, kurse me tjetrën të qash. Shkrimtari rumun ngarend njëherazi pas: një shpërndarje më të mirë të librave, tirazhesh të mëdha, lexuesish sa më të shumtë, përkthyesish të besës, botuesish më pak të mefshtë, pas shpërblimesh e çmimesh, pas bursash të shkruari… Mirpo, siç shprehet me mjaft humor një sivëlla: ndonëse i mungojnë të gjitha të mësipërmet, “zor se mund t'ia shkulësh lapsin nga dora”.
Të jetë, vallë, shkrimtari rumun, njëlloj si ai nga: Kanadaja, Malajzia, Uruguaji, Finlanda, Togua e kështu me radhë? Besoj se po.
Do t'i mbyllja këto radhë duke “shartuar” një fjalë të urtë: “Shkrimtarët vdesin secili në gjuhën e vet.” (Bukuresht, shtator 2008)
Përktheu Kopi Kyçyku
Një javë në POETEKA 4
17 formate
36 veprimtari poetike
2 tryeza të rrumbullakta
6 videopoema
7 koncerte solo instrumentale
11 shoqërime muzikore
12 pika historike të vizitueshme
3 qytete, Durrës, Tiranë, Berat
POETEKA: Fitues në vite të trofeve
2005
Sibila Petlevski – Unaza Poeteka - Kroaci
Ali Podrimja – Liburna - Kosovë
2006
Maria Luisa Spaziani – Unaza Poeteka – Itali
Olga Sedakova – Liburna - Rusi
Xhevahir Spahiu – Onufri - Shqipëri
2007
Jevrem Brkoviq – Unaza Poeteka - Mali i Zi
Anton Papleka - Liburna – Shqipëri
Ali Aliu – Onufri – Maqedoni
Abedin Preza – Nositi – Shqipëri
22 Shtator 2008