E Diel, 1 Nëntor 2026

Romanet e Zhyl Vern më përgatitën të ardhmen prej detari

Autori i Lajmit: Denisa KONANjë tjetër komandant flote në stafetën e komandantëve. Gjeneral Fitim Halili mban mbi shpinë
45 vjet jete në det, nëpër lundrime të shkrurtra e të gjata, ku më të shumtat kanë qenë në brigadën e nëndetëseve. 18 vjetët në nëndetëse kaluan, por komandantit i pëlqen që të zhytet në thellësitë e kujtimeve dhe të nxjerrë prej andej, historitë e pazakonta të një kohe heronjsh, fjalë prej së cilës, nuk di pse prej vitesh kemi frikë. Por Fitimi është një nga heronjtë e detit, që drejtoi zhytjet e nëndetëseve deri në thellësitë maksimale të lejueshme, duke shmangur çdo katastrofë. Teksa nis të rrëfejë jetën e tij të rrallë prej nënujësi, pohon se takimin me thellësitë e kishte dashur që fëmijë, gjatë zhytjeve të panumërta dhe kur erdhi koha, e kishte vendosur vetë fatin e tij në nendetëse. “Nuk ndodhi asgjë e pazakontë që u caktova në brigadën e nëndetëseve. Gjithçka e kisha paracaktuar, qyshse kur mbarova shkollën “Skënderbeg”, në të trija kërkesat shkrova vetëm “nëndetëse”. Që kur kisha qenë i vogël e doja detin dhe jo vetëm në sipërfaqe. Thellësitë misterioze të tij më kanë tërhequr. Që atëherë, ato u koduan tek unë. Por sot, nëse do të më jepej sërish mundësia të zgjidhja profesionin tim, do të kishte qenë sërish Marina, ndërsa për nëndetësen, do të isha menduar shumë më gjatë…. Atëherë nuk e dija se çfarë përfaqësonte në fakt, ky gjigand i nënujshëm. Ishte mosha e ëndërrimeve djaloshare, e atyre aventurave që thurrte mendja e një të riu që lexon Hygonë, Zhyl Vernin dhe të gjitha ato vepra që frymëzuan brezat në atë shekull të 20-të, apo tablotë madhështore si ato të rusit të madh Hajvazorski, që duke qenë njëherësh edhe oficer marine, solli gjithë botën e marinarit në një perceptim të ndjerë artistik. Pasioni im ishte i mbrujtur jo thjesht si një perceptim i hapësirës detare dhe i thellësive, por ishte i gatuar edhe nga ky horizont leximesh. Kështu që e kisha vendosur atëherë, që të shërbeja në nëndetëse.” Kështu na prezantohet me një hyrje të rrallë një nga komandantët e Flotës Detare që për koecidencë ka edhe sy të kaltër të thellë, si pjesë të thellësive të përhershme. Letërsia kishte frymëzuar tek ai dëshirën për aventura detare, të cilat u bënë realitet.

-Përse sot, pas gjithë kësaj dashurie që quhet nëndetëse, e vini në dyshim rizgjedhjen e kësaj arme?
Sepse tani që e kam kaluar këtë përvojë shërbimi, tani e kuptoj se çfarë do të thotë të lundrosh me një nëndetëse, të përshkosh një univers nënujor, unikal dhe misterioz, me një mjet po kaq misterioz sa çështë edhe vetë nëndetësja. Madje, edhe nëse do të më kërkonin mendim, nuk do të shprehesha, pra nuk do të rekomandoja dikë, pasi i di mirë të papriturat e saj. I gjithë procesi lundrimor i nëndetëses shoqërohet me rrezikun, çdo lundrim në gjendje të nënujshme ka të papritura që nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Rrymat detare, relievi fundrinor, avaritë e mundshme të teknologjisë së armës, rreziku i eksplozivit të gazeve shpërthyes si hidrogjeni apo avujve të lëndëve djegëse-klorit, azotit janë gjithnjë aty, nuk ofrojnë asnjë garanci.
-Si ia keni dalë mbanë ta shpëtoni nëndetësen nga të gjitha këto rreziqe potenciale?
Disiplina. Kjo është e para. Por ekuipazhet tona ia kanë dalë mbanë, sepse nëndetësja është i vetmi mjet ku parimi “Një për të gjithë dhe të gjithë për një”, gjeti zbatim absolut. Ky solidaritet ka qenë shpëtimtar në shumë situata, pasi nëndetësja, ndryshe nga avioni, ka një fat që përcaktohet nga secili. Gabimi i një personi të vetëm mund të kushtojë shumë. Këtë përgjegjësi të madhe që kanë veprimet brenda në nëndetëse dhe këtë risk as që e marrin me mend, as shumë oficerë marine që nuk kanë shërbyer aty. Fundi i detit është një fund i panjohur…
-Nëndetëset mbahen si arma e krenarisë së flotës sonë detare. Cila është historia e tyre?
Ne kemi patur 4 nëndetëse pas largimit të rusëve, sipas marrëveshjes së dy qeverive, në të cilat shërbenin ekuipazhe shqiptare e që u përgatitën profesionalsiht duke krijuar njësinë shqiptare të brigadës së nëndetëseve. Këto nëndetëse gjatë periudhës 40-vjeçare realizuan me sukese misionin e tyre ndaj vendit. Historia e nëndetëseve është historia e një njësie unikale, që nuk do të përsëritet më dhe që krijoi në forcat tona të armatosura, një njësi elitë.
-A dilnin nëndetëset tona përtej ujërave tona, me mision?
Po, dilnin. Gjatë periudhës së gatishmërisë luftarake, nëndetëset kanë realizuar lundrime 5-ditore, 10-ditore dhe 20-ditore në gjendje të nënujshme në hapësirën detare të detit Jon, Adriatik dhe të Mesdheut Qendror, domethënë në ujërat ndërkombëtare.
-Çfarë ndodh kur nëndetëset tona takohen, apo identifikojnë nëndetëse të huaja në ujërat ndërkombëtare?
Si nëndetëset tona, ashtu edhe nëndetëset e huaja gjatë kësaj kohe studiojnë njëra-tjetrën, lëvizjet e njëra-tjetrës. Kriteri është ky: Çdo nëndetëse e diktuar konsiderohet e asgjësuar. Nëse e humbet fshehtësinë, kundërshtari të imponohet me mjetet e tij.
-Nëndetëset tona, a janë zbuluar ndonjëherë nga nëndetëset e huaja?
Asnjëherë nuk ka ndodhur dhe kjo përbën një sukses të ekuipazheve tona. Ne jemi shfaqur vetëm atëherë kur kemi pasur si qëllime taktike për “tu diktuar”. Nuk jemi diktuar dhe duhet të them se lëvizjet e nëndetëseve tona kanë qenë një problem i madh për bazat detare të fqinjëve, veçanërisht të atyre që realizonin patrullime në kanalin e Otrantos.
Ju thashë që nëndetëset janë shumë misterioze dhe nuk është e lehtë ti zbulosh. Para 6 muajve në Atlantik lundronin në të njëjtën nivel thellësie dy nëndetëse bërthamore, njëra franceze “Le triumphant” dhe tjetra angleze “Ëanguard”. Ato lundronin në kundërkurs, në të njëjtin nivel thellësie dhe për pak sa nuk u përlasën aksidentalisht Për fat dhe për aftësitë e komandantëve të tyre, rrëshkitën bri njëra-tjetrës, përndryshe do të kishte ndodhur një katastrofë njerëzore dhe e përmasave ekologjike për botën. Duhet të kemi parasysh se ato nëndetëse janë fjala e fundit e teknologjisë, të pajisura me mjetet supermoderne për të identifikuar tingujt etj. Por nuk arritën ta zbulonin dot njëra-tjetrën, derisa u gjendën pranë e pranë.
-Deri në cilën thellësi keni lundruar dhe çfarë qëllimi ka pasur lundrimi në thellësitë maksimale?
Lundrimi më i thellë ka qenë në 300 metra që është edhe thellësia maksimale e lejuar e këtij tipi projekti 613 Ë të cilit i përkisnin nëndetëset tona. Lundrimi në 300 metra ka ndodhur në kushte të detyruara, për shkak të një avarie. Ky rast ishte edhe një test për të gjitha pajisjet e teknologjisë, se deri sa mund të përballonin.
-Ata që shërbenin në nëndetëse, ishin që të gjithë të devotshëm, apo kishte detyrim për tu futur në nëndetëse? A ka pasur momente paniku?
Në përgjithësi kanë qenë oficerë të talentuar e guximtarë ata që kanë shërbyer në nëndetëse, edhe pse nuk përjashtohen rastet e pakta të shfaqjes së frikës. Por kjo nuk ka qenë pjesa përfaqësuese. Me këtë rast dua të kujtoj komandantët e talentuar të nëndetëseve Dashamir Ohri, Aleko Pojani, Beqir Gërbi, Skënder Doçi, Petrit Myftari, Çapajev Smokthina, Tasim Meçe, inxhinierët profesionistë Viktor Pashko, Pajtim Islami, Bujar Bardhi, Volter Mero. Po ashtu, dua të kujtoj me nderim këtu të paharuesshmit që nuk jetojnë më, komandantët e nëndetëseve dhe oficerët, Besnik Rezvani, Sami Alla, inxhinierët e talentuar Selim Lala, Skënder Spahivogli, Feriz Lisha, Kujtim Peçi, Tafim Maliqi.
Stafi komandues detar përzgjidhej dhe për cilësitë fizike e virtytet tmorale si dhe për nivelin profesional. Për të kontrolluar parametrat, ai i nënshtrohej çdo 6 muaj testit të aftësive profesionale në nivel provimesh.
-Sot nëndetëset tuaja janë ndryshkur dhe pluskojnë si balena pa jetë. Ju trishton ky fakt?
Nëndetëset kanë moshën e tyre. Nëndetëset tona e kishin deri në 40 vjet. Ato u plakën, përmbushën misionin e tyre historik, madje kapërcyen moshën. Por bota nënujore e detit Adriatik dhe Jon ruan zërin, jehonën, tingujt e nëndetëseve dhe të ekuipazheve të nëndetëseve. Kjo është një e vërtetë shkencore. Këta tinguj nuk humbasin kurrë dhe mbeten në këtë hapësirë nënujore, si çdo tingull i botës mbiujore mbetet në hapësirën ajrore.
-Edhe një dëshirë juaja e fundit për këtë intervistë, cila do të ishte?
Të falenderoja gruan time dhe fëmijët e mi, që kanë qenë dhe janë frymëzimi i jetës sime, që më jepnin zemër kur gjendesha në thellësitë e detit. Dhe po ashtu, këtu gjej rastin të falenderoj për këtë mision të kryer me sukses të gjithë kolegët dhe marinarët deri tek më i thjeshti si dhe ti uroj për festat e fundvitit ata dhe familjet e tyre, qofshin të lumtur. Po ashtu, uroj për festën e Vitit të Ri edhe të gjithë familjet e gazetarëve.

Karriera e Fitim Halilit
-Komandant i nëndetëses (vitet 73-77)
-Komandant i brigadës së nëndetëseve dhe bazës së Pashalimanit (77-82)
-Komandant i Flotës Luftarake Detare (91-93)
-Në inspektimin e përgjithshëm të Flotës
dhe shef i Zbulimit nga viti 93 deri në daljen në pension

Asnjë mbytje

Rusët i paralajmëruan shqiptarët, jo vetëm në gjuhën e filmit, por në realitet, u thanë se do ti çonin në fund të detit nëndetëset, sepse nuk do tia dilnin dot mbanë. Por nuk qe kështu. Asnjë nga nëndetëset tona nuk e pati këtë fund, por çau thellësitë me sukses. “Incidentet më nëndetëse nuk kanë çuar nës ngjarje të jashtëzakonshme totale, kur dihet që nëndetëset përfaqësojnë një superfuqi detare,- thotë Fitim Halili.- Shteteve të tjera u janë mbytur nëndetëse të zakonshme (që punojnë me dizel elektrik si tonat) dhe nëndetëse atomike. Dhe ky fakt është një sukses, kjo e bën flotën tonë, një nga më të suksesshemet në rajon e më gjerë.”

Shkeljet e kufijve ujorë

Shkeljet e ujërave tona në atë kohë nga nëndetëset e huaja përbënin një rrezik serioz për vetë misionin që kryenin nëndetëset. Dhe mundësia e diktimit dhe neutralizimit të tyre ishte e një shkalle të lartë vështirësie. Por nëndetëset tona kishin aftësinë e plotë të kontrollit dhe mbrojtjes së hapësirës nënujore dhe mbiujore dhe për kryerjen e misioneve të karakterit operativ, për zbulimin dhe kapjen, për kryerjen e operacioneve në hapësirën detare të Mesdheut.

Rituali “i pagëzimit” në nëndetëse

Jeta e detarit ka lloj-lloj episodesh interesante. Njëri nga këto është ai “i pagëzimit” të cilit i nënshtrohet për fatmbarësi, çdokush që lundron në nëndetëse për herë të parë. Ky ritual ka qenë gjithashtu, edhe shoqëruesi i ditëlindjeve të marinarëve. Kur dikush në nëndetëse kishte ditëlindjen, atë ditë, nëndetësja shkonte në thellësinë që përputhej me vitet e jetës së tij. Nëse mbushte 25 vjeç një marinar, nëndetësja zbriste në nivel 25 metra, nëse mbushte 30, lundronte në thellësine 30 metra e kështu me radhë. Kur arrinte në thellësine e moshës së marinarit, vetë ky që ka ditëlindjen qëndron në postin qendror të nëndetëses dhe aty hap një rubinet uji, ku vjen uji i kripur i thellësive të moshës së tij. Me këtë ujë marinari
lan fytyrën dhe pas kësaj i thotë komandantit: “E pranoj urimin. Më ço në 100 metra thellësi që të pagëzohem me ujin e 100 viteve”. Ky është rituali festiv në nëndetëse, një ritual gazmor e domethënës. Këtij rituali iu nënshtruan edhe rregjisorët Piro Milkani dhe Kujtim Çashku që lundronin për herë të parë me nëndetëse.

Ky lajm është publikuar: 23/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›