E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1 Hamilton tek Mercedesi

Kishte shumë kohë që flitej për këtë lëvizje në Formula 1. Ja ku duket se po ndodh, ndonëse nuk ka asgjë zyrtare, veçse lajme nëpër mediat e gjithë botës. Ljuis Hamilton do ta braktisë Meklaren Mercedesin dhe do të shkojë tek skuadra gjermane që mban thjesht emrin e madh Mercedes.
Kampioni i botës i vitit 2008 dhe një nga pilotët më të mirë në qarkullim bën kështu lëvizjen e bujshme e cila vlen 60 milionë stërlina për 3 vjet, një shifër që e përkthyer në euro bën 72 milionë. Pra, anglezi do të fitojë tek Mercedesi sasinë e jashtëzakonshme të 24 milionë eurove, përfshi rrogën dhe shpërblimet e tjera. Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë për sponsorët personalë të tij.
Lëvizja e Hamiltonit do të thotë dalje më në fund në “pension” për legjendën gjermane, Mikael Shumaher, i cili në moshën 42-vjeçare mbetet ende nëpër pista, ndonëse epoka e tij e lavdishme e 7 titujve botërorë ka kaluar një herë e mirë.
Meklaren do të marrë në vend të Ljuisit pilotin e talentuar të Zauberit, Sergio Perez. Meksikani përflitej se do të kalonte tek Ferrari në vend të Felipe Masës, por tashmë skuadra angleze është përfundimisht destinacioni i tij.
Sa për Hamiltonin, bëhet fjalë për një lamtumirë aspak të lehtë nga skuadra që e rriti dhe e ushqeu që kur ishte fëmijë. Meklaren e mbështeti Ljuisin që kur ishte 13 vjeç, ndërsa tani vjen ndarja pas 14 vitesh të bukura, por edhe të stuhishme ku një titull kampion duket tepër pak për talentin e anglezit spektakolar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›