E Diel, 1 Nëntor 2026

Formula 1, Hamilton triumfon në "trillerin" e Belgjikës

Britaniku kryesoi prej xhiros së parë deri në të fundit, në një garë e cila u kushtëzua së tepërmi nga kapriçot e motit. Reshjet që disa herë lagën pistën, bënë që aksidentetet të ishin të shumta dhe pilotët të garonin herë pas here nën regjimin e makinës së sigurisë.

Menjëherë pas Hamiltonit u rendit australiani Mark Veber, i cili e nisi garën nga pole positioni por e humbi vendin e parë që në start. Në shkallën më të ulët të podiumit u ngjit polaku i Renosë, Robert Kubica.

Felipe Masa e përfundoi në vendin e katërt, ndërkohë që piloti tjetër i Ferrarit, Fernando Alonso, u detyrua të tërhiqej shtatë xhiro nga fundi, në momentin që ndodhej në vendin e tetë. Me këtë rezultat spanjolli kompromenton së tepërmi pozitën e tij në luftën për titull.

Paraqitje të mirë në garën e sotme bëri edhe gjermani i makinës Force India, Adrian Sutil, i cili u rendit në vendin e pestë. Menjëherë pas tij e prenë vijën e finishit dy makinat Mercedes, përkatësisht Niko Rosberg dhe Mikael Shumaker. Kobajashi, Petrov dhe Algersuari mbyllin dhjetëshen e parë, ndërkohë që pa pikë ka dalë Xhenson Baton dhe Sebastian Vetel. Ky i fundit u rendit i 15-ti kurse kampioni i botës në fuqi e la gërën në xhiron e 15-të pas një përplasjeje me Vetelin.

Kur kanë mbetur edhe gjashtë gara nga kalendari i botërorit, Ljuis Hamilton rikthehet në krye me 182 pikë, tre më shumë se Mark Veber. Asgjë nuk ndryshon në vendet 3, 4 dhe 5, ku renditen përkatësisht Sebastian Vetel me 151 pikë, Xhenson Baton me 147 dhe Fernando Alonso me 141. Ndalesa e radhës e botërorit është në Monza të Italisë më 12 shtator.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›