E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1 nis kete fundjave kampionatin e ri boteror

Retë janë larguar dhe temperaturat janë ngritur. Asfalti në Melburn është nxehur dhe e mrekullueshmja Formula 1 është gati të nisë ecjen e saj krah për krah me pranverën. Kampioni në fuqi është vetëm një, Sebastian Fetel i Red Bullit, ndërsa sfidantët janë të shumtë me plot 5 ish-kampionë botërorë që do të synojnë diçka.

Xhenson Baton, Ljuis Hamilton, Fernando Alonso, Mikael Shumaker dhe Kimi Raikonen janë “kalorësit” që duan t’i heqin kurorën “mbretit” gjerman.

Gjithsesi, Fetel nuk do të dijë se ç’është presioni dhe është gati për titullin e tretë radhazi.

 “Ne jemi këtu për të fituar titullin, ky është synimi dhe nuk ka rëndësi që ky do të ishte titulli i tretë. Ne jemi këtu për të garuar dhe për të fituar, ndërsa sezoni do të jetë i gjatë, ka shumë gara”, tha ai.

Meklaren Mercedes ka edhe Hamiltonin, por edhe Batonin dhe ky i fundit është i emocionuar.

Në fjalën e tij, Baton deklaroi “mendoj se së pari, është emocionuese për të gjithë ne që po nisim sezonin e ri. Pas një pune të vështirë në dimër, nëpër prova, ja ku vjen gara e parë në Melburn, vendi ku do ta nisim. Është bukur të jesh këtu”.

Pas rikthimit të Shumakerit, ja ku trokiti sërish në derë edhe Raikonen, tashmë me skuadrën Lotus.

 “Jam përpjekur që, në skuadrën time të re, t’i bëj gjërat siç duhet dhe jam i kënaqur me ekipin. Janë njerëz me të cilët punohet shumë mirë. Nuk ishte nevoja të bëheshin shumë ndryshime. Kam pasur një përvojë shumë të mirë”, deklaroi Raikonen.

Çmimi i Madh i Australisë shënon gurin e parë kilometrik të një rruge që do të ketë 20 gara emocionuese. Fetel është favoriti, sidomos nëse kujton fitoren e madhe të vjetshme në Melburn.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›