E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni ndalet kampionati shkak dhuna nderetnike

Për shkak të konflikteve ndër-etnike shqiptaro-maqedonase, Federata Maqedonase e Futbollit ka marrë vendim për pezullimin e këtij edicioni në futboll. Maqedonasit fajësojnë tifozët e Shkëndisë së Tetovës të cilët kishin paralajmëruar incidente të rënda në duelin me Vardarin e Shkupit. Në anën tjetër, tifozët shqiptarë dhe përgjithësisht populli shqiptar në Maqedoni janë të zemëruar për vrasjet e fundit të të rinjëve shqiptarë në disa qytete të Maqedonisë.
Tre klube të qytetit të Tetovës, të populluar në pjesën më të madhe nga shqiptarët, u urdhëruan që ti luanin ndeshjet në fusha asnjëanëse për shkak të rrezikshmërisë së lartë që këto sfida paraqisnin. Pas vendimit për pezullimin e kampionatit, grupe të ndryshme të tifozëve nga Tetova, Shtipi dhe Bitoli kanë protestuar para ndërtesës së Federatës maqedonase të futbollit duke kërkuar nga Presidenti Haralampie Hadzi-Risteski vazhdimin e edicionit.
Ndërkohë, edhe pse tifozët shqiptarë janë cilësuar si të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë, ofendimet vijnë pikërisht nga tifozët maqedonas. Ngjarja më e fundit ka ndodhur të mërkurën në Manastir, ku gjatë ndeshjes së ligës së dytë ndërmjet Pelisterit dhe Rrufesë, tifozët vendas të njohur si “Çkembari” kanë ofenduar shqiptarët gjatë gjithë takimit.
Thirjet e tyre si “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Shqiptarë i mirë është shqiptarë i vdekur”, “Duam Maqedoninë pa shqiptarë” si dhe disa këngë tjera me përmbajtje ofenduese ishin koreografia e përgatitur nga publiku maqedonas i Manastirit, ndërsa policia qëndroi gjatë gjithë kohës si spektatore përballë parullave nacionaliste, edhe pse vetëm disa javë më parë, qeveria maqedonase kishte paralajmëruar se thirrjet me karakter ofendues prej etnisë do të dënoheshin me burg.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›