E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prag Bilbao-Mancester Junajtid ne stadiumin San Mames

Duket se kjo e sotmja është një ndeshje sa për të kaluar radhën. Atletik i Bilbaos ka fituar 3-2 në fushën e Mançester Junajtid, një javë më parë në Ligën e Europës, ndaj edhe është shumë pranë kualifikimit. Trajneri i anglezëve, Sër Aleks Ferguson, nuk harron ta theksojë këtë, ndonëse premton se do të luftojë deri në fund.
“Një ndeshje e vështirë për ne, pasi Bilbao arriti një rezultat të madh duke fituar 3-2 në “Old Traford”. Një sfidë, por jo e pamundur. Forma jonë jashtë fushe në Europë do të na ndihmojë, pasi kemi pasur rezultate shumë të mira. Shpresoj të jetë një avantazh për ne. Sa për Bilbaon, e pamë që kjo skuadër e re në moshë ka një të ardhme të madhe. Vlerësoj jo vetëm aftësinë, por edhe energjinë. Ishte skuadra më e mirë që ka luajtur në fushën tonë në 10 vitet e fundit” deklaroi Ferguson.
Trajneri vendas flet pas plakut 70-vjeçar, duke treguar gjithë respektin për të dhe për skuadrën e tij. Bielsa thotë se “është njëlloj sikur të nisësh një ndeshje duke qenë në epërsi 1-0. Kjo s’mund të mohohet, por s’do të ishte gjë e zgjuar nga ana jonë që të kishim vetëkënaqësi. Kundërshtari ka lojtarë shumë të mirë sulmues dhe nuk dorëzohet kurrë”.
E sigurt është që në stadiumin ”San Mames” do të luhet një ndeshje e shkëlqyer. Këtë e kërkon tradita e dy skuadrave, por edhe tradita e publikut të shkëlqyer bask.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›