Perçet, në gjyq mësuesit që refuzojnë studentët
Fatos Mahmutaj
Problemet që studentët apo nxënësit muslimanë do të kenë me institucionet arsimore për shkak të besimit, do të zgjidhen gjyqësisht nëpër Gjykata të Shkallës së Parë. Hatibët kryeqytetas përcollën këtë mesazh për besimtarët muslimanë gjatë faljes së të premtes, në të gjitha xhamitë e Tiranës, duke pretenduar se një urdhëresë e tillë ishte dhënë nga Komuniteti Mulsiman me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor dhe atij akademik. Kjo, pasi tashmë është bërë dukuri e përvitshme nxjerrja e problemeve për nxënësit dhe studentët besimtarë muslimanë që mbajnë hapur simbole fetare. Të tilla janë mjekra për djemtë dhe mbajtja e shamive në kokë për vajzat. Imamët e xhamive në Tiranë pohuan gjatë faljes së të premtes, se teologët muslimanë ishin konsultuar për këtë problem me këshilltarë të Gjykatës Kushtuese dhe juristë të tjerë kryeqytetas, dhe kishin rënë dakord që ankimet të bëhen nëpër Gjykatat e Faktit, të cilat mbulojnë territorin ku ndodhen institucionet arsimore që diskriminojnë muslimanët. Kërkesë-paditë që do të depozitohen në gjykatë, sipas imamëve kryeqytetas, gjejnë mbështetje në Kushtetutë, ku sanksionohet saktë se liria e besimit fetar dhe ushtrimit të tij garantohet me ligj. Duke e quajtur diskriminim të hapur përzënien e besimtarëve nga mjediset e institucioneve publike arsimore, hatibët argumentuan se Shqipëria nuk është një vend ateist, por laik, dhe si i tillë garanton ushtrimin dhe ndjekjen e të gjitha besimeve fetare. Më tej imamët pohuan se, nëse punët nuk do të zgjidheshin nga gjykatat, atëherë besimtarët do të ftoheshin sipas ligjeve në fuqi për të dalë në protesta, kundër atyre krerëve të institucioneve arsimore që i diskriminonin. Vetëm pak muaj më parë, krerët e Komunitetit Musliman Shqiptar pohuan se do të ankoheshin në Gjykatën Kushtetuese ndaj diskriminimit të studentëve dhe nxënësve muslimanë nëpër institucionet arsimore publike, për shkak të mbajtjes së simboleve fetare. Kjo vinte si kundërpeshë e problemeve që krijohen çdo fillim viti shkollor. Ndërkohë, që prej vitit 1993 nëpër shkolla të ndryshme të vendit janë shënuar precedentë të shumtë të përzënies nga shkollat të nxënësve dhe studentëve ndjekës të besimit musliman.