E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI - Forcë e re me pragmatizëm të vjetër

Olta Xhaçka 

Siç thoshte një gazetar, ditët e fundit kanë qenë të tilla ku lajmin nuk ka nevojë ta ndjekësh fare, se të vjen e të përplaset ballit vetë. Nga vdekja e të ndjerit Trebicka, gjoba e NEWS 24 dhe shkelja e lirisë së shprehjes, te raporti për korrupsion ku nota 3.4 u paraqit si sukses i madh, e deri te lajmi grotesk i dëbimit të FMN-së, këto ditë na kanë lënë gojëhapur përpara televizorit. Dhe sikur të mos mjaftonte ky inflacion lajmesh të këqija, një valë ligjëratash mallëngjyese mbi vlerat dhe moralin shpërthyen këto ditë nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një moment kur ankthin mund ta presësh me thikë si pasojë e një regjimi frike të instaluar me kujdes nga ngjarjet e fundit, eksponentë tejet të kompromentuar të forcës së re kanë nisur opozitën brenda opozitës, duke u hequr si zotërues të monopolit të ndershmërisë dhe opozitarizmit të vërtetë në Shqipëri. Ndonëse jemi mësuar këto sjellje t'ia atribuojmë politikës së vjetër, është tejet i trishtë konstatimi se ky model i vjetruar është adaptuar tashmë nga ata që e mbajnë veten për forcën më të re e energjike në arenën politike. Perfeksionuar në stilin e lidershipit të kryetarit të LSI, Ilir Metës, ky model dallohet qartë në përpjekjet e tij për të hedhur baltë mbi subjektet e tjera të opozitës si të pandershme, të padenja për përkrahësit e tyre, e pa këllqe për t'i bërë opozitë "armikut" të përbashkët, Sali Berishës. Për fat të keq, motivimi i këtij zotërie dhe i forcës politike që ai përfaqëson, nuk duket se vjen si rrjedhojë e një shqetësimi të sinqertë për fatet e popullit nën drejtimin e qeverisë Berisha, por si shprehje e grykësisë për protagonizmin e qëllimeve ambicioze që LSI i ka vënë vetes.
Thelbin e vërtetë të motivimit të këtij organizimi politik e përmblodhi pa dashje në një forum publik znj. Kryemadhi, tek i kujtonte një kritiku të politikave të burrit të saj se "politika është si biznesi. I vetmi ndryshim është se nëse dështon në biznes duke shitur kumbulla, mund ta rifillosh me mollë. Por nëse dështon në politikë, nuk ka më shans të dytë". Pra, për familjen modeste të LSI-së, politika është biznes dhe si e tillë është trajtuar dukshëm gjatë këtyre tre viteve qeverisje të Berishës, dhe sot, një vit përpara largimit të tij nga drejtimi i vendit. Për rrjedhojë, stili i lidershipit të z. Meta ka kohë që ka marrë ngjyrimet e pragmatizmit makiavelist, ku etja për pushtet dikton çdo vendim dhe qëllimi justifikon çdo mjet. Të tilla do kenë qenë rrethanat kur vendosën të riclikonin ndër radhët e tyre figura të përfolura e të konsumuara si Luan Rama. Të tilla do kenë qenë rrethanat dhe për të shumëpërfolurin bashkëpunim potencial me Fatos Nanon, thashethem të cilin përfaqësues të kësaj lëvizjeje nuk kanë pasur asnjë kompleks ta konfirmojnë si një variant të mundshëm, madje të nevojshëm. Ky motivim, gjithsesi nuk ka kaluar pa u vënë re në opinionin publik, jo vetëm nga skeptikët, por edhe nga anëtarët e vetë LSI-së, celulat e së cilës filluan të binin si gurët e shahut si rrjedhojë e zhgënjimit masiv. E si mund të ndodhte ndryshe kur lideri i një organizimi që synon opozitarizmin e vërtetë nuk denjon të paraqitet në Parlament për t'u bërë zëri i njerëzve që i besuan votën. Si mund të ishte ndryshe kur lideri i këtij organizimi që synon integrimin që në emërtim, nuk do t'ia dijë për Komisionin parlamentar për Integrimin Evropian të cilin kryeson.
Pragmatizmi politik është praktikë e njohur në demokracitë perëndimore dhe ka motivuar shpesh politikat e partive të djathta. Si i tillë ai gjen shprehjen e tij më të zakonshme në programe të cilat synojnë ato që quhen "politika rishpërndarëse" ose incentiva preferenciale për të joshur klasën e mesme dhe votën e saj. Ndryshe nga praktikat perëndimore, ku pragmatizmi shfaqet në politika që shtojnë apo heqin disa ndryshore në ekuacionin që balancon tregun e lirë me mbrojtjen sociale, pragmatizmi i z. Meta dhe angazhimi i tij e të tijve në politikë i përngjan transaksioneve bankare; një deputet = x vlerë monetare. Premisa për përfitime të mëdha politike në zgjedhjet e 2009-ës i ka mprehur kryetarit akoma më shumë intuitën e biznesmenit e po i udhëheq dredhitë në përpjekjet e vazhdueshme për të maksimizuar riskun e tij zgjedhor. Ky lloj pragmatizmi është tërësisht i pavirtytshëm dhe krejtësisht i papërshtatshëm për përkufizimin e pushtetit përfaqësues si shërbesë publike në funksion të interesave të qytetarëve dhe jo atyre vetjake. Në lojën prej kokete me koalicionin e majtë, z. Meta ka humbur çdo lloj sensi të një sjelljeje parimore. Rasti i tij më solli ndërmend thënien e famshme të kongresmenit amerikan Barry Goldwater shumë vite më parë, kur u bëri thirrje konservatorëve të kongresit të rriteshin politikisht e të mos merrnin topin e të linin lojën sa herë nuk u pëlqenin dinamikat e ekipit. Vetëm një diktator mund të përfitojë gjithçka kërkon nga politika. Për gjithë pjesën tjetër, politika është lojë ekipi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›