E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli britanik jep leksione për edukatën

 

Këshilli Britanik ka organizuar një trajnim njëditor me mësuesit e shkollave të mesme nga të 37 drejtoritë rajonale të arsimit. Tema e këtij trajnimi ishte prezantimi dhe aftësimi i pjesëmarrësve në përdorimin në klasa të një pakete materialesh mbi edukimin qytetar. Kjo paketë i ofron mësuesve instruksione dhe ide si t'i përfshijnë nxënësit në diskutime, punë në grup dhe aktivitete jashtë shkollore në komunitet. Sipas mësuesve që merrnin pjesë në këtë trajnim, materiali është mjaft interesant. Ky material u pilotua më herët në tri shkolla të ndryshme, kurse gjatë kësaj faze do të përfshihen 100 shkolla në të gjitha rrethet e Shqipërisë dhe rreth 10.000 nxënës do të kenë mundësinë të përdorin materialet gjatë vitit të ri shkollor. Për përfaqësuesit e "British Council", kjo pjesë e projektit dhe në veçanti bashkëpunimi me shkollat është veçanërisht shumë i rëndësishëm. Projekti "Living Together" përfshin edhe aktivitete të tjera, si ekspozitë fotografike, një studim rajonal mbi efektet e emigracionit si dhe takime të niveleve të politikbërësve dhe liderëve të rinj për të influencuar pozitivisht shoqëritë e vendeve të përfshira në projekt mbi Dialogun Ndërkulturor dhe rëndësinë e tij në një botë gjithnjë e më globale. Projekti zhvillohet nën patronazhin e Këshillit të Europës dhe në kuadër të vitit evropian të Dialogut Ndërkulturor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›