E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formularët dorëzohen 100 për qind

30/03/2005  Librazhd, 65 banesa për t’u legalizuar

LIBRAZHD - Ndryshe nga qyteti i Elbasanit, i cili ka patur një bum ndërtimesh për t’u legalizuar, Librazhdi nuk e ka patur të vështirë fazën e parë të procesit të legalizimit të ndërtimeve duke përfunduar vetëdeklarimin e pasurisë brenda afatit. Vetëm 65 ndërtime janë verifikuar si të paligjshme në këtë, qytet i cili nuk ka rezultuar me zona informale të përcaktuara. Sipas përgjegjësit të zyrës së legalizimeve, pronarët kanë tërhequr të gjithë formularët dhe gjithashtu i kanë dorëzuar ato brenda afatit. Shtrirja e këtyre ndërtimeve ka qenë në të gjitha lagjet e qytetit dhe banorët kanë arritur të depozitojnë formularin e plotësuar që do t’i hapë rrugë legalizimit të këtyre objekteve pa leje. Numri i vogël i objekteve është justifikuar nga përgjegjësi i zyrës si mungesë interesi gjatë kohës së lëvizjeve të mëdha për të ndërtuar në qytetin e Librazhdit dhe gjithashtu një korrektësi e banorëve për të ligjëruar që në themel objektet e tyre. Qyteti i Librazhdit, me 10 mijë banorë, e ka kaluar normalisht procesin e legalizimeve të ndërtimeve pa leje dhe sipas specialistëve të urbanistikës në Bashkinë e Librazhdit, nuk do të hasen vështirësi edhe në vazhdim për legalizimin e 65 objekteve të paligjshme. Gjithsesi, ashtu siç është parashikuar dhe nga strukturat qeverisëse, procesi i vetëdeklarimit të pasurive do të vazhdojë derisa të ketë shtetas, të cilët do të kenë formularë për të plotësuar saktë për të dorëzuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›