E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një lagje mes bashkisë e komunës,jashtë listës 300 zgjedhës

30/03/2005  Librazhd, konflikt mes pushtetarvëe vendorë

LIBRAZHD - Sherri për 300 votues mes Bashkisë së Librazhdit dhe komunës Qendër, ka bërë të mos hartohen listat për lagjen “Frigoriferi” në Bashkinë e Librazhdit. Problemet në lidhje me përcaktimin e zonave kanë lindur gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë, dhe janë theksuar në hartimin e listave zgjedhore. Komuna Qendër, pretendon zgjedhësit e një lagjeje të qytetit e quajtur “Frigoriferi”, e papërcaktuar si zonë. Sipas nëpunësit të gjendjes civile në Bashkinë e Librazhdit, Agron Mekshi, kjo lagje i përket qytetit të Librazhdit, por komuna Qendër ka shfaqur pretendimet, duke tentuar edhe hartimin e listave në mënyrë të paligjshme në këtë zonë. Bëhet fjalë për më shumë se 300 zgjedhës, të cilët nuk e dinë ende se kujt zone i përkasin dhe ku duhet të votojnë, thotë Mekshi. Prefektura e Elbasanit duhet të përcaktojë edhe përkatësinë me ndarjen e re të kësaj lagjeje, duke evituar konflikte të kësaj natyre. Rrethi i Librazhdit, me 80 mijë banorë, ka të identifikuar si zgjedhës 73 mijë shtetas në listat paraprake, të cilët do të duhet të votojnë në verën e këtij viti. Librazhdi është përcaktuar si rrethi problematik për sa i përket hartimit të listave të zgjedhësve sidomos në komunat e Stërblevës, Stravajt dhe Orenjës. Ndonëse kompjuterat e mbërritur nga OSBE janë ofruar për këto zona, mungesa e operatorëve e ka bërë të vështirë hedhjen e listave në kompjuter. Kështu në këto komuna punonjësit e gjendjes civile i kanë hedhur emrat me dorë në regjistër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›