E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë në burg 4 tafikantë, liron njërin prej tyre

30/03/2005  Lushnjë/ Tentuan të nisnin drejt Italisë 27 persona

LUSHNJE - Gjykata e Shkallës së Parë e Lushnjës, ka lënë dje në burg katër prej trafikantëve durrsakë, të cilët tentuan të trafikonin në Itali 27 klandestinë me qëllim përfitimi. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Dritan Cako, ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" për shtetasit Abaz Bunica, Agim Dida, Ilia Shtraza, Vero Shkurta, që të katër nga rrethi i Durrësit, ndërsa ka lënë në gjykim të lirë shtetasin Miraxh Shima. Të katër shtetas e lënë dje në burg pa afat, sipas prokurorit të çështjes Gjergji Tako, kanë konsumuar veprën penale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror me qëllim përfitimi, e kryer në bashkëpunim, vepër kjo e parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal.

Ngjarja ka ndodhur më 24 mars të këtij viti, rreth orës 21.00 të mbrëmjes. Shtetasit Bunica, Dida, Shtraza e Shkurta kanë organizuar transportimin e 27 klandestinëve nga qyteti i Durrësit, duke i fshehur më pas në pyllin e Divjakës, prej ku më vonë prisnin të hipnin fillimisht në varka të vogla druri për të dalë më tej në det të hapur. Të gjithë këta klandestinë do të transportohshin nga një anije e madhe transporti, e cila do t’i përcillte drejt Italisë. Për të realizuar largimin e të gjithë klandestinëve në vendin fqinj, atyre u është kërkuar shuma përkatëse nga 3000 deri në 3500 euro për person. Gjatë fazës së parë të operacionit të policisë së Lushnjës, është e bërë e mundur kapja e 18 klandestinëve, ndërsa gjatë ditës së premte në orët e para të saj u bë e mundur edhe kapja e nëntë personave të tjerë, duke çuar kështu në 27 numrin e personave të ndaluar.

Nga prokuroria lushnjare është nxjerrë urdhërndalimi edhe për tre shtetas të tjerë, organziator të këtij trafiku. Të tre këta shtetas kishin organizuar mbledhjen e klandestinëve nëpër rrethinat e Durrësit, ndërsa transportimi i 27 klandestinëve është bërë nga shtetasit Abaz Bunica, Agim Dida, Ilia Shtraza, Vero Shkurta.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Dritan Cako, duke lënë në burg pa afat katër shtetasit e mësipërm, i ka hapur rrugën hetimit në lidhje me këtë grup trafikantësh dhe trafikun e paligjshëm të qenieve njerëzore të kryer nga ana e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›