E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A2 me 290 degë, plotësimi nis më 22 korrik

SHKRUAN: Jonida Tashi 30-06-2011 12:20

Plot 290 degë të ndryshme studimi do të jenë të listuara këtë vit në Formularin A2, për pranimet në universitetet publike të vendit. Ky fakt bëhet i ditur nga specialistët e Ministrisë së Arsimit, të cilët shpjegojnë se tashmë Formulari A2 është gati dhe priten vetëm procedurat e shpalljes. Sakaq, përsa i përket tarifës së tërheqjes së Formularit A2 ajo do të jetë përsëri 2 mijë lekë, ndërsa plotësimi i tij do të nisë në datën 22 korrik. Më tej specialistët e arsimit shpjegojnë se në Formularin A2 nga viti në vit është një listë e gjatë degësh që shtohet në drejtimin e studimit, çka do të thotë më shumë shanse për të vijuar shkollën e lartë. Kështu, në vitet e para të Maturës, lista e degëve në Formularin A2 ka qenë jo më shumë se 170, por me kalimin e kohës, me vendim të Këshillit të Ministrave janë hapur degë të reja nëpër fakultete të ndryshme, dhe këtë vit do të shtohen edhe disa të tjera, e më konkretisht 26 programe të reja studimi. Një vit më parë në formularin A2 kanë qenë të listuara plot 264 programe studimi, ndërkohë që për Maturën 2009 kanë qenë 215 të tilla. Sipas afateve të përcaktuara në rregulloren e Maturës, brenda datës 30 qershor Ministria e Arsimit duhet të ketë miratuar dhe publikuar Formularin A2, për pranimet në universitetet publike të vendit. Në rregullore përcaktohet se MASH miraton deri në datën 30 qershor Formularin A2 të personalizuar me notën mesatare dhe preferencën e programeve të studimit të shpallura nga universitetet publike dhe udhëzuesin e plotësimit të Formularit A2. Por, megjithëse ky formular do të publikohet më herët se nisja e afatit të plotësimit, maturantët do t’i përzgjedhin preferencat e tyre për studimet e larta pasi të jenë njohur me notat e katër provimeve të Maturës. Kështu, maturantët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike të vendit, pasi të kenë në duar notat e katër provimeve, duhet të plotësojnë Formularin A2, si dhe ta dorëzojnë atë në Komisionin Shkollor të Maturës brenda datës 30 korrik. Formulari A2 është i personalizuar me notën mesatare dhe preferencën e programeve të studimit, të shpallura nga institucionet e arsimit të lartë publik. Formularin A2 kanë të drejtë ta plotësojnë vetëm maturantët kalues në të gjitha provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje. MASH, nëpërmjet materialeve informuese të përgatitura për maturantët, sqaron se para plotësimit të Formularit A2, që do të jetë hapi i fundit dhe vendimtar për të fituar të drejtën e studimit në universitetet publike të vendit, çdo maturant duhet të dijë disa të dhëna, në mënyrë që jo vetëm ta plotësojë saktë, por të mos “djegë” as shanset e tij për në fakultet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›