E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A2, publikohet të enjten

Për plotësimin dhe dorëzimin e formularit të preferencave, nxënësit do të kenë në dispozicion 15 ditë


Formulari A2 pritet të shpërndahet më datë 22 korrik në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Pas përfundimit të kohës që nxënësit kanë në dispozicion për dorëzimin e ankesave për notat e lëndëve me zgjedhje, në të gjitha shkollat e mesme MASH do të shpërndajë formularin A2.


Sipas rregullores së MASH për Maturën Shtetërore 2010, duke filluar që nga 22 korriku, maturantët do të duhet të përzgjedhin 10 preferenca në Formularin A2, në të cilin janë renditur rreth 225 programe studimi që do të ofrojnë universitetet publike për vitin e ri akademik, 2010-2011.


Renditja e preferencave të maturantëve do të bëhet sipas një shkalle zbritëse, duke filluar nga dega më e preferuar e deri tek ajo më pak e pëlqyera. Përcaktimi i kandidatëve fitues do të bëhet pas llogaritjes së pikëve përkatëse për të dhjetë preferencat e listuara në Formularin A2.


Bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, maturantët do të kenë një afat kohor prej dy javësh për plotësimin formularit A2. Renditja e fituesve edhe për vitin e ri akademik 2010-2011, do të bëhet sipas formulës tradicionale të Maturës Shtetërore, e cila është (D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2).


Kjo formulë do t'i ndihmojë nxënësit të bëjnë një llogari të thjeshtë mbi pikët që mund të fitojnë, duke njohur vlerësimet e veta, pra duke u vetëvlerësuar, me synim evitimin e gabimeve.


Maturantët kanë në dispozicion rreth 15 ditë për të dorëzuar formularin e plotësuar në drejtoritë përkatëse të shkollave. Po kaq kohë kanë në dispozicion edhe ata kandidatë që do të aplikojnë për të qenë studentë në Akademinë e Arteve, në degën e Arkitekturës apo në Universitetin e Sporteve. Konkursi i pranimit për këta maturantë pritet të zhvillohet në fillim të muajit shtator.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›