E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia 5 mijë euro, për vrasësin

Blutë e kryeqytetit vënë shpërblim për personin që jepn informacion mbi vendodhjen e autorit të vrasjes së dy netëve më parë


Viktima një vit e gjysëm i lidhur me motrën e autorit, por ishte i celebruar me një grua me tjetër me të cilën kishte një fëmijë


Tiranë- Policia e kryeqytetit një ditë pas vrasjes së ndodhur në rrugën "Don Bosko", ku një emigrant vrau të dashurin e motrës me të cilin kjo bashkëjetonte, vendosi të vërë në dispocion të informatorëve 5 mijë euro shpërblim.


Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës të cilët pohuan se personi që do të jepte informacionin e saktë mbi vendndodhjen e mundshme të autorit të dyshuar të krimit, Aleksandër Lleshi, policia do ta shpërblente me pesë mijë euro.


Ndërkaq, policia ka dokumentuar tërësisht autorësinë e krimit, duke pohuar se Gëzim Marku, 34 vjeç, nga Mirdita ishte qëlluar për vdekje më tepër se gjashtë herë nga Aleksandër Lleshi, 22 vjeç, nga i njëjti fshat nga i cili ishte edhe viktima Marku.


Sipas burimeve të policisë, shkak për ngjarjen, ka qenë lidhje jashtë martesore e Gëzim Markut, me motrën e autorit, ndërkohë që ai ishte i celebruar ligjërisht me një grua tjetër me të cilën kishte edhe një fëmijë.


Me këtë grua, sipas burimeve të policisë, Marku kishte më tepër se një vit e gjysmë që nuk jetonte dhe ishte ndarë fizikisht, që kur ishte lidhur me motrën e personit që e qëlloi dy ditë më parë. Lleshi, emigrant në Greqi prej kohësh, kishte mbërritur tri katër ditë më parë nga Greqia, për të sqaruar situatën me Markun, i cili ndonëse ishte lidhur me motrën e tyre nuk ishte ndarë me gruan me të cilën ishte ende në kurorë.


Një fakt i tillë ka bërë që pjesëtarët e familjes së Lleshit, të dyshonin se "dhëndri" i tyre jo zyrtar mund të jetonte disa kohë me vajzën e tyre, dhe më pas mund ta linte, duke iu lënë edhe turpin në derë.


Të dielën pasdite, Lleshi, ka mbërritur në shtëpinë ku e motra dhe i dashuri i saj kishin marrë me qera në rrugën "Don Bosko". Ata janë takuar dhe kanë vendosur të diskutojnë në kafe çështjen, ndërsa kanë porositur birrë për të pirë. Pas një bisede të shkurtër, Aleksandri i ka thënë të motrës të shkonte në shtëpi dhe të përgatiste darkën.


Sapo kjo është larguar për në shtëpinë e marrë me qera prej tyre, autori i dyshuar i krimit ka nxjerrë armën dhe qëlloi në drejtim të Markut. Sipas burimeve të policisë, në momentin e krimit, në vendin e ngjarjes, nuk kishte asnjë njeri në lokal, ndërsa pronari bashkë me një person tjetër ishin jashtë lokalit në verandë. Policia në vendin e ngjarjes gjeti së paku gjashtë gëzhoja plumbash dhe disa predha që mendohet se janë të qitura nga një armë TT.


Menjëherë pas ngjarjes, policia gjeti në vendin e ngjarjes, motrën e autorit të dyshuar të krimit njëkohësisht gruaja me të cilin viktima bashkëjetonte prej më tepër se një vit e gjysmë.


Ajo ka sqaruar se ishte lidhur me Markun prej kohësh dhe kishin vendosur të jetonin në Tiranë, ndërsa ai ishte shkëputur nga bashkëshortja me të cilën kishte një fëmijë. Vajza ka pohuar se vazhdimisht familja e saj dyshonte se Gëzimi po e përdorte atë për qejfin e tij dhe se nuk kishte në plan të martohej.


Në të kundërt ajo ka pretenduar se të dy ata kishin nisur jetën normalisht, pasi ajo punonte në një lokal si kameriere ndërsa Gëzimi si punëtor. Pavarësisht këtij fakti, familja ka dyshuar deri sa dy ditë më parë, Aleksandri vrau të dashurin e motrës së tij në një lokal në rrugën "Don Bosko", në kryeqytet. Policia shpalli këtë të fundit në kërkim, me akuzën e vrasjes me paramendim dhe të armëmbajtjes pa leje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›