E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lypësja nga Durrësi, prostitutë në kryeqytet

Policia e kryeqytetit arrestoi tre kushërinj të akuzuar për shfrytëzimin e të miturës në kodrat e liqenit artificial


Të dyshuarit e mashtruan vajzën se do të fitonte më shumë me lypje në Tiranë se sa në zonën e portit


TIRANE- Tre persona të akuzuar për shfrytëzim dhe trafikim të një të miture, u arrestuan nga zyra e hetimit dhe e Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit, pasi në dy raste dyshohen se kanë mashtruar dhe shfrytëzyar një vajzë 15 vjeçare nga Durrësi për prositucion në Tiranë.


Bledar Uka , 20 vjeç, djali i xhaxhait të tij, Dritan Uka, 22 vjeç, dhe T.T, 16 vjeç, të tre nga Lezha me banim të përkohshëm në Tiranë dhe të tre të dënuar më më parë për vjedhje, u arrestuan nga oficerët zyrës Antitrafik të kryeqytetit.


Personat e mësipërm, kanë mashtruar fillimisht një vajzë 15- vjeçare nga lagja Spitallë e Durrësit e cila lypte në portin e Durrësit dhe e kanë detyruar të ushtrojë prostitucion pranë kodrave të liqenit artificial në kryeqytet. Vajza me inicialet M. H, prej më tepër se një muaji e gjysmë shfrytëzohej për prostitucion në kryeqytet, kundrejt një shume prej 10 mijë lekësh të vjetra, për një marrëdhënie seksuale me klientë të ndryshëm.


Shfrytëzimi


Në fillim të muajit të kaluar, tre kushërinjtë nga Lezha nëpërmjet një vajze tjetër të njohur prej tyre, e cila gjithashtu dyshohet se shfrytëzohej dhe bashkëpunonte me personat, kanë njohur në portin e Durrësit, adoleshenten 15- vjeçare me incialet M. H. "Në Tiranë fitohet më shumë.


Pse nuk vjen me ne dhe të ndihmojmë edhe ne". Me këto fjalë, tre kushërinjtë nga Lezha, bindën adoleshenten nga Durrësi që të shkonte me ta në Tiranë, për të fituar më tepër para dhe për të ndihmuar ndoshta edhe familjen. Sapo mbërritën në kryeqytet, kushërinjtë nuk vonuan shumë po nisën t'i gjenin klientë punëtores së re, kundrejt një pagese prej 10 mijë lekësh për person të cilat i merrnin të arrestuarit.


Pas më tepër se tri javësh shfrytëzim në kryeqytet, vëllai i të miturës arriti të gjente motrën e tij në kryeqytet dhe arriti ta merrte dhe të dy bashkë iu rikthyen lypjes në Durrës.


Ndërkaq i vëllai i saj kishte njoftuar edhe policinë në kërkim të së motrës. Policia pas marrjes së informacionit mbi gjetjen e vajzës ngriti dyshime se ajo ishte shfrytëzuar dhe se nuk ishte larguar nga shtëpia.


Pavarësisht kësaj, vetë vajza dhe familja nuk denoncoi. Policia e njoftuar për këtë rast, mbajti personat nën vëzhgim dhe nisi hetimet.Vetëm pak ditë pas rikthimit të vajzës në shtëpi, "trafikantët" mbërritën sërish në port ku gjetën vajzën dhe duke e kërcënuar dhe mashtruar sërish bindën vajzën që t'i rikthehej punës, deri sa policia ndërhyri për të arrestuar dhe ndaluar personat e dyshuar.


Ndaj Bledar Ukës, Dritan Ukës, dhe kushëririt të tyre 16- vjeçarit, T.T, Prokuroria e Krimeve të Rënda, kishte nxjerrë një urdhër arresti për akuzën e trafikimit të femrave dhe shfrytëzimit për qëllime prostitucioni.


Gjatë një vizite mjeko- ligjore, të vajzës së mitur ajo është konstatuar se kishte shenja dhune në trup dhe sipas burimeve gjatë shfrytëzimit, personat kanë ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj me qëllim që ajo të mos denonconte. Hetimi i Krimeve të Rënda, pritet të zbardhë edhe më shumë për këtë grup të tregtisë së seksit në kryeqytet.


Të shtunën u godit një grup trafikantësh femrash


Dy ditë më parë, policia e kryeqytetit, kishte arrestuar edhe tre persona të tjerë dhe shpalli në kërkim dy bashkëpunëtorë të tyre, të akuzuar për rrëmbim femrash me qëllim trafikimin e tyre për prostitucion.


Të akuzuarit, kishin rrëmbyer një vajzë nga Lezha dhe dy motra nga Elbasani dhe prej më tepër se dhjetë ditësh i kishin mbajtur ata në një lokal në afërsi të Shkollës së Bashkuar dhe aty kishin kryer marrëdhënie seksuale me to. Pas denoncimeve të të afërmëve të tyre, policia gjeti vendndodhjen e vajzave dhe ndaloi personat e dyshuar.


Këta të fundit u arrestuan nga policia me akuzën e trafikimit të femrave e mbetur në tentativë për qëllime prostitucioni, si dhe të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›