Formulari A2, të hënën afati i fundit për dorëzimin në shkolla
Ditën e hënë është afati i fundit për të dorëzuar formularin A2 në shkolla. Me anë të tij kandidatët për në universitet duhet të zgjedhin 10 degët e preferuara të fakulteteve. Kush nuk e ka dorëzuar ende duhet të bëjë kujdes me plotësimin, në mënyrë që të bëjë zgjedhjen e duhur. Sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimi, maturantët nëpërmjet formulës, që tashme është bërë publike dhe notave që kanë marrë, duhet të vendosin të parën, degën ku kanë më shumë shanse për të fituar. Gjithçka pasi të kenë bërë një llogaritje paraprake të pikëve me të cilat konkurrojnë. Ndërkohë, të gjithë ata maturantë që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2009 dhe nuk kanë plotësuar formularin A1Z, që do të thotë se nuk figurojnë në bazën e të dhënave, duhet të drejtohen në Agjencinë Kombëtare të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, për t’u regjistruar për formularin A2 deri në datën 20 korrik 2009. Plotësimi i formularit A2 është i detyrueshëm edhe për të gjithë ata kandidatë që duan të konkurrojnë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Akademinë e Sporteve “Vojo Kushi” dhe programet e studimit të Edukimit Fizik e Sporteve në universitetet e Shkodrës dhe Elbasanit, krahas regjistrimit në konkurse përkatëse që ata kanë kryer pranë këtyre institucioneve.Sa i përket provimeve me zgjedhje, pritet të nisë sot korrigjimi në 4 qendra vlerësimi. Testet janë shpërndarë në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Fier, në mënyrë që procesi të përfundojë sa më shpejt. Vetëm pas dy javësh, rreth datës 24 korrik maturantët do të mund të njihen me notat që kanë marrë. Nëse nuk kalojnë në një nga lëndët me zgjedhje, ata nuk mund të bëhen pjesë e garës së universiteteve.