Ja si do përdoren letrat me vlerë për legalizimet
Fabiola Çela
Qeveria ka vendosur që kostoja e legalizimit të një ndërtimi informal që përdoret për banesë të mund të kryhet edhe përmes letrave me vlerë. Vetëm pak ditë pas miratimit të projektligjit nga qeveria, zëvendësministri i Financave, Florjon Mima, ka sqaruar në detaje se si do të përdoren letrat me vlerë në procesin e legalizimit.
Procesi
Për të legalizuar një ndërtim pa leje kryhen tri pagesa. Pagesa e parë është tarifa karshi ALUIZNI-t për të gjitha kostot që ato përballojnë gjatë procesit të matjes, hedhjes në letër, përpilimit në harta etj. E gjitha kjo është një tarifë prej 4300 lekësh dhe do vazhdojë të paguhet me para në dorë. Sipas Mimës, elementi i dytë ka të bëjë me taksën e ndikimit në infrastrukturë. Për çdo ndërtim çdo person paguan në komunën apo në bashkinë përkatëse për të marrë lejen e ndërtimit një shumë, e cila është e barabartë me 1-3 për qind të vlerës për rrethet e tjera të Shqipërisë dhe 2-4 për qind të vlerës për Tiranën. “Të dyja këto tarifa, pra 1-3 për qind dhe 2-4 për qind shkrihen në një, duke u ulur me disa fish dhe kthehen në një tarifë unike, e cila është 0.5 për qind e vlerës së situacionit. Edhe në këtë rast pagesa e taksës do të vazhdojë të kryhet në lekë”, tha ai. Ndërsa elementi i tretë i pagesës ka të bëjë me pagesën e truallit, i cili përbëhet nga dy pjesë. “Nga trualli minimal i detyrueshëm për të shoqëruar legalizimin e ndërtesës, sipas të cilit 80 për qind e vlerës së truallit do të paguhet me lekë dhe për çdo metër katrorë ekstra përtej këtij niveli do të paguhet 50 për qind me letra me vlerë dhe 50 për qind me para në dorë. Eshtë llogaritur pra, që për të gjitha këto ndryshime për përdorimin e letrave me vlerë dhe uljen e taksës së ndikimit në infrastrukturë të shkojë afërsisht në një lehtësim prej 80 për qind të paketës që do t’i duhej qytetarit që të paguante për procesin e legalizimeve sipas ligjeve të mëparshme”, ka theksuar zëvendësministri i Financave, Mima.
Projektligji
Sipas projektligjit të miratuar pak ditë më parë në qeveri, të gjithë ata që janë në proces privatizimi mund të paguajnë deri në 80 për qind të shumës së detyrimit me letra me vlerë. Pjesa tjetër, 20 për qind e shumës do të duhet të paguhet me para. Kjo është pjesa që i shkon pushtetit vendor për urbanizimin e këtyre zonave informale. Vendimi parashikon që edhe ata që kanë bërë tashmë pagesën, mund të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t, duke dorëzuar kundërvlerën e pagesës me bono privatizimi apo letra me vlerë, do të marrin mbrapsht paratë e paguara. Ndërsa për të gjithë ata që janë në proces, do të duhet të përcaktojnë në dokumentacionin e tyre edhe mënyrën e pagesës, pra me para apo me letra me vlerë. Gjithmonë deri në 80 për qind të vlerës.
Përdorimi i letrave me vlerë
Bonot e privatizimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit, që janë në proces legalizimi.
Të gjithë ata që janë në proces privatizimi mund të paguajnë deri në 80 për qind të shumës së detyrimit me letra me vlerë. Pjesa tjetër, 20 për qind e shumës, do të duhet të paguhet me para.
Pagesa deri në 80 për qind me letra me vlerë bëhet vetëm për tokat e zëna, që janë pjesë e çmimit të diferencuar dhe që shërbejnë për banim. Pra, për tokat deri në 300 metra katrorë brenda vijës së verdhë dhe deri në 500 metra katrorë jashtë vijës së verdhë.
Për të gjitha këto ndryshime për përdorimin e letrave me vlerë dhe uljen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, qytetarët do të paguajnë 80 për qind më pak për procesin e legalizimit të ndërtimit informal
Përfitojnë vetëm objektet që përdoren për banim