Suedia mbështet liberalizimin e vizave
Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulëzim Basha, mori mbështetjen e Suedisë, vendit që mban presidencën e radhës së BE-së, për liberalizimin sa më shpejt të vizave me BE-në. Në takimin që zhvilloi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, i cili mban Presidencën e radhës së BE-së, Carl Bildt, dhe me Robert Kuper, Drejtor i Përgjithshëm në Sekretariatin e Këshillit Evropian, ministri Basha informoi rreth ecurisë së procesit zgjedhor në Shqipëri. Bashkëbiseduesit vlerësuan procesin zgjedhor si një test i maturisë së klasës politike në Shqipëri. Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, siguroi homologun shqiptar se presidenca suedeze do të mbështesë shqyrtimin sa më parë të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit për vend anëtar në BE. Gjithashtu, ai u shpreh se Suedia mbështet përmbylljen pa vonesë të procesit të liberalizimit të vizave në zonën Shengen për shtetasit shqiptarë. Ky takim u zhvillua në Samitin e Dubrovnikut me temë “Imperativet strategjikë të Evropës: Energjia, Investimet dhe Zhvillimi”, gjatë datave 9-10 korrik. Ministri i Jashtëm shqiptar informoi homologun suedez për procesin e formimit të koalicionit të ri qeverisës dhe objektivin e tij themelor, integrimin evropian të vendit. Në këtë kuadër Basha rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur përpara me të gjitha reformat e domosdoshme për integrimin evropian të vendit. Gjatë punimeve të Samitit, ministri Basha u takua dhe bisedoi dhe me një numër të madh homologësh dhe zyrtarësh të lartë të pranishëm në Samit, si ministrat e jashtëm të Maqedonisë, Kroacisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, zv.Sekretarin amerikan të Shtetit Steinberg, Sekretarin e Shteti të Kanadasë, Keddy, kryeministrat e Kroacisë, Kosovës dhe Malit të Zi.