Gripi i derrave, dyshohen 2 persona
zirina llambro
Dy persona dyshohen të jenë prekur nga gripi i derrave në vendin tonë. Lajmin e bën me dije Instituti i Shëndetit Publik. Sipas specialistëve, analizat e këtyre pacientëve janë në proces dhe do të konfirmohen edhe nga laboratorët e Londrës e Rumanisë. Duket se krerët e shëndetësisë për të mos përhapur panik, po na përgatisin pak nga pak për praninë e virusit. Hyrja e tij në Shqipëri është e pashmangshme. Madje po t’u referohesh deklaratave të bëra ditë pas dite, të gjitha të bëjnë të mendosh se tashmë gripin e kemi brenda vendit. “Deri tani janë marrë 70 mostra të personave të dyshuar, të cilat kanë rezultuar negativ ndaj virusit të gripit të derrit. Këto ditë po analizojmë edhe dy persona të tjerë. Ekzaminimet tona do të konfirmohen edhe nga laboratorët e Londrës dhe Rumanisë, me të cilët ne kemi bashkëpunim”. Kështu u shpreh dje shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP. Sipas saj, muajt shtator –tetor përbëjnë riskun më të lartë për t’u infektuar nga virusi. “Në këtë periudhë fillojnë e shfaqen edhe virozat e stinës, ndaj është e domosdoshme të merren masa në të gjitha spitalet e vendit. Ato duhet të jenë në gatishmëri për të pritur pacientët”, tha Bino. Ndërkaq vaksina për gripin H1N1 do të prodhohet në nëntor. Por te ne pritet të vijë një sasi e vogël, pasi numri i vendeve të prekura që janë futur në listën e pritjes për t’u furnizuar është tepër i lartë. Instituti i Shëndetit Publik ka planifikuar që grupet e para që do të vaksinohen falas do të jenë personeli mjekësor, qeveritarët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike, si diabeti, astma, gratë shtatzëna dhe fëmijët nën 2 vjeç. Kostoja e kësaj vaksine mendohet të jetë 1500 lekë. Nga sa pohojnë specialistët, për të përballuar një pandemi të mundshme, duhet jo vetëm që spitalet të jenë të pajisura me tamiflu por edhe me të gjitha masat mbrojtëse, si doreza, maska, respirator si dhe dhoma të veçanta me oksigjen, që në disa rrethe mungojnë. Në rast se ne prekemi nga gripi i derrave dhe ai nis të përhapet me shpejtësi, mjekët mendojnë se brenda një jave do të kemi 15 persona të prekur nga ky virus, çka do të bëjë të domosdoshëm që të kemi 10 vende në reanimacion. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se në reanimacionin e kirurgjisë së përgjithshme dhe në atë të senatoriumit ka vende të lira, por duket se fluksi i zakonshëm i të sëmurëve e bën të vështirë realizimin e këtij planifikimi. Këto ditë specialistët e ISHP-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe OBSH do të bëjnë një takim me mjekët e familjes, të cilët do të pajisen me tuba në mënyrë që edhe të marrin mostra, për të identifikuar personat që dyshohen se janë prekur nga ky virus.