ISKSH, buxhet të veçantë për barnat
Një pjesë e buxhetit të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor shkon për trajtimin me barna të të sëmurëve me tumor në stadet e fundit. Këta pacientë trajtohen në qendra të posaçme private në Tiranë, Durrës, Korçë, pavarësisht se rimbursimi bëhet nga ISKSH-ja, kjo në sajë të kontratave të lidhura mes dy palëve. Përfaqësuesit e ISKSH-së thonë se ata mbulojnë trajtimet me barna që i përkasin listës së rimbursueshme, ndërkohë dhe vizitat janë falas. “Si kushdo kategori tjetër ne bëjmë planifikimet dhe vendosjet përkatëse të buxhetit të tyre dhe nëse do të përmendim vetëm nga qendra shëndetësore nga SOB, Shërbimi Onkologjik në Banesë, gjatë këtij 8 mujori janë rreth 8 mln lekë të reja rimbursime për pacientët. Duhet të kemi parasysh që janë barna për lehtësimin e dhimbjeve, sepse barnat që përdoren përpara janë shumë të shtrenjta dhe ka kosto të larta për ISKSH. Pra, duke hequr mënjanë koston e barnave të cilat SOB i blen dhe i përdor gjatë trajtimit të përditshëm”, - pohon drejtori i Drejtorisë së Kujdesit Parësor, Gazmend Kosturi. Vetëm në Tiranë trajtohen rreth 460 të sëmurë. Gjithsej, për periudhën 8-mujore janë lëshuar 2900 receta të rimbursuara. Të sëmurët në stadet terminale janë persona të cilët nuk kanë nevojë vetëm për trajtime kurative me barna, por edhe për kujdesje psikosociale dhe ekonomike.