Formulari, kështu studentët do “ngelin” pedagogët
zirina llambro
Jo më vetëm studentët në ankth përpara provimeve.Njëfarësoj këtë ndjesi, duke nisur që nga ky semestër, do ta provojnë edhe pedagogët. Një formular i posaçëm do t’i jepet çdo studenti. Me anë të tij, ata do të vlerësojnë punën e mësimdhënësve për secilën lëndë. Të gjitha këto të dhëna do të grumbullohen në Rektorat e nëse pakënaqësitë janë të mëdha, ndaj pedagogëve nuk do të mungojnë as masat administrative. Janë hartuar 6 pyetje, të cilave u korrespondojnë vlerësimet, nga shkëlqyer deri dobët, me pikët përkatëse në rend zbritës duke nisur nga 5 të tilla. Pjesë e formularit do të jenë edhe vlerësimi i lëndës për të cilën janë hartuar 9 pyetje, si dhe i infrastrukturës me 5 pyetje. Gjithçka e bëri me dije dje zyra për shtyp e Universitetit të Tiranës. “është përgatitur drafti i formës së vlerësimit të pedagogëve nga studentët, praktikë që do të nisë gjatë semestrit të dytë të këtij viti akademik. Sikurse ishte paralajmëruar edhe nga Rektori i UT, Dhori Kule, formulari është dërguar në fakultete për të marrë mendimin e pedagogëve dhe të studentëve”, sqaroi zyra e shtypit të këtij institucioni. Me anë të kësaj forme vlerësimi, do të mundësohet identifikimi i shpejtë dhe real i problematikave që ka Universiteti i Tiranës. “Pas vendimit të senatit akademik, për hartimin e kësaj forme vlerësimi, ajo u është shpërndarë të gjitha fakulteteve për mendim dhe duke marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e tyre është hartuar forma përfundimtare, që më pas do t’u shpërndahet sërish fakulteteve për t’u përdorur gjatë provimeve të fundit të semestrit të dytë të këtij viti akademik”, thuhet në deklaratë. Sipas saj, çdo semestër përpara çdo provimi, studentët do të plotësojnë formularin duke vlerësuar çdo pedagog dhe çdo lëndë që kanë kryer. Këto të dhëna, që më pas do të grumbullohen nga Rektorati dhe Fakultetet e Universitetit të Tiranës, kanë qëllim identifikimin e problematikave dhe marrjen e masave të nevojshme. Vlerësimi i pedagogëve me këtë mënyrë bëhet për herë të parë në Universitetin e Tiranës. Sistemi i pikëve i caktuar do të mundësojë informacion edhe për vetë stafin akademik.