Aksident automobilistik, humb jetën 46-vjeçari
TIRANË - Një kalimtar ka gjetur vdekjen pasi u përplas nga një automjet teksa po kalonte nga një anë e rrugës në tjetrën. Sipas burimeve policore aksidenti ndodhi në rrugën dytësore të autostradës në fshatin Mëzes me drejtim lëvizje Vorë-Tiranë. Shtetasi Mark Nikolli, 46-vjeç është përplasur nga mjeti kamionçinë tip-Benz me targë TR 4253 G, që drejtohej nga Edmond Frashëri, 49-vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezulton se Nikolli ka qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin, kur u përplas për vdekje nga automjeti. Policia arrestoi drejtuesin e mjetit Edmond Frashëri për veprën penale të “Shkeljes së rregullave te qarkullimit”.
Arrestohet 30-vjeçari, shpërndante heroinë në lokalin e tij
GRAMSH - Në kuadër të operacionit “Gracka” ka rënë në pranga shpërndarësi i drogës në ambientet e lokalit të tij, nga kontrolli iu sekuestruan 28 doza heroine. Sipas burimeve policore se shtetasi Daniel Hoxha lindur dhe banues në Gramsh u arrestua ditën e djeshme, pasi nga kontrolli personal i ushtruar në lokalin e tij i është gjendur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një qese me 28 paketa me doza heroine prej 4 gramësh. Heroina ishte paketuar në atë mënyrë për t’ia shpërndarë klientëve, të cilët frekuentonin lokalin. Ndërsa nga kontrolli që iu bë banesës së tij iu sekuestrua një qese me heroinë, me peshë 86 gramë. Materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”,
Prangoset në portin e Durrësit, akuzohej për vjedhje
DURRËS- Forcat e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit kanë arrestuar një person , i cili ishte shpallur në kërkim. Sipas burimeve zyrtare të policisë shtetasi Altjon Sylaj po tentonte ikte për në Itali, nëpërmjet Portit të Durrësit. Ai është kapur në terminalin e pasagjerëve, duke paraqitur para autoriteteve të policisë kufitare, pasaportën e tij biometrike me Nr. BG2943908. Mësohet se i ndaluari Altjon Sylaj, 26-vjeç i lindur në Tropojë dhe banues në Kamzë, ishte dënuar për veprën penale të “vjedhjes”. Ky person ishte shpallur në kërkim pasi prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhrin e ndalimit ndaj tij për veprën penale të “vjedhjes, mbetur në tentativë, kryer në Bashkëpunim”.
11 Dhjetor 2009