E Diel, 1 Nëntor 2026

Formulë e re në universitete, ja si do të ndahet buxheti në 2009-ën

Autori i Lajmit: Entela Duraj
“Buxheti vjetor për 11 universitetet shtetërore në vend, nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të shpërndahet sipas një formule të re, e cila pritet të kalojë për miratim në Kuvend. Bëhet fjalë për një formulë të krijuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës me konsulencë të Bankës Botërore. Ajo bazohet në shumë parametra si në numrin e studentëve, kualifikimin e pedagogëve, zhvillimin e kërkimit shkencor, programet studimore, etj”, - tha për mediat, këshilltari për Arsimin i Kryeministrit, prof. dr. Myqerem Tafaj”

“Në këtë mënyrë buxheti nuk do të ndahet më sipas një ndarjeje aritmetike, ku merret në konsideratë vetëm numri i studentëve, por sipas kontributit të universitetit. Në Ligjin e Arsimit të Lartë parashikohet që ai institucion që paraqet projekte të mira, do të përfitojë fonde”

Universitetet do të garojnë mes tyre për të vjelë buxhetin vjetor. MASH ka ndryshuar formulën e përfitimit të fondit vjetor për institucionet e arsimit të lartë publik. Sipas këtij ndryshimi, nuk do të merret parasysh vetëm numri i studentëve që përmban një universitet, por edhe kritere të reja që kanë të bëjnë me kontributin e secilit universitet në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë. “Buxheti vjetor për 11 universitetet shtetërore në vend, nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të shpërndahet sipas një formule të re, e cila pritet të kalojë për miratim në Kuvend. Bëhet fjalë për një formulë të krijuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, me konsulencë të Bankës Botërore. Ajo bazohet në shumë parametra si në numrin e studentëve, kualifikimin e pedagogëve, zhvillimin e kërkimit shkencor, programet studimore, etj”, - tha për mediat, këshilltari për Arsimin i Kryeministrit, prof. dr. Myqerem Tafaj. Sipas tij, formula e re e shpërndarjes së buxhetit vjetor të universiteteve do të bazohet vetëm në meritat e institucioneve të arsimit të lartë, e thënë ndryshe vitin që vjen universitetet do të konkurrojnë për investime. “Në këtë mënyrë buxheti nuk do të ndahet më sipas një ndarjeje aritmetike, ku merret në konsideratë vetëm numri i studentëve, por sipas kontributit të universitetit”, theksoi Tafaj, i cili shtoi se formula e re e buxhetit nxit rritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Tafaj tha se në Ligjin e Arsimit të Lartë parashikohet që ai institucion që paraqet projekte të mira, do të përfitojë fonde. "Eshtë i njëjti parim si me pushtetin vendor, lidhur me grantet. Por parakushti është: struktura të afta administrate në universitete që mundësojnë hartimin në kohë të projektit, marrjen e fondeve dhe realizimin e tyre sipas afateve", - sqaroi Tafaj.

Universitetet, lihen bosh mbi 3000 vende
Mbi 3000 vende në universitetet e rretheve janë lënë bosh nga fituesit e sivjetshëm. Kandidatët kanë shpërfillur në një farë mënyre fakultetet e rretheve duke mos u regjistruar në degët që kanë fituar. Drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë e kanë konsideruar këtë veprim si një dyndje e studentëve për t u diplomuar në Universitetin e Tiranës edhe pse fakultetet në rrethe janë pasuruar me të njëjtat programe studimi. Ndërkohë për fituesit e rinj në të gjitha universitetet publike të vendit nis sot regjistrimi i studentëve fitues për 4000 kuotat vakante. Kjo është faza e tretë e pranimeve në institucionet e arsimit të lartë. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës përmes një udhëzimi ka përcaktuar se regjistrimi i studentëve fitues do të kryhet pranë sekretarive të fakulteteve nga data 7-15 nëntor. Burime nga ky dikaster thanë se në rast se studentët fitues nuk kanë dëftesë pjekurie origjinale, ata duhet të paraqesin dublikatën e dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse. Këta kandidatë do të evidentohen edhe në lista të veçanta nga sekretaritë e fakulteteve, të cilat do të verifikohen nga MASH. Dëftesa e pjekurisë, certifikata e lindjes me fotografi, 2 fotografi dhe mandatarkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë, janë dokumentet që duhen dorëzuar në sekretaritë e fakulteteve.
Ky lajm është publikuar: 07/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›