E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, ujëra të zeza dhe mbeturina para UNMIK

Lëvizja “Vetëvendosje” ka organizuar një protestë në Prishtinë, duke kundërshtuar kështu mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Akuzat e qindra pjesëmarrësve në protestën e “Vetëvendosjes” iu drejtuan drejtpërdrejt UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës për lejimin e organizimit dhe ngritjes së strukturave paralele serbe. Sipas mediave në Kosovë, protestuesit kanë hedhur mbeturina dhe ujëra të zeza të kanalizimit në ndërtesën e UNMIK-ut, duke i hedhur fajin për lejimin e organizimit të këtyre zgjedhjeve. Të njëjtën gjë bënë edhe me godinën e qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar qeverinë “Thaçi” se po pajtohet me gjithçka që i shërbehet nga Serbia dhe UNMIK-u. Ndërsa një kamion me mbeturina po zbrazej dhe hidhej në oborrin e selisë së administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, derisa po hidheshin dhe ujëra të zeza në këtë ndërtesë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës, me vetë faktin se po lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe, po lejojnë cenimin e integritetit të Kosovës. Sipas REL, Kurti theksoi se, “strukturat e Serbisë në Kosovë e kanë kontrolluar për nëntë vjet me radhë një të katërtën e territorit të Kosovës. Tashmë këto struktura po zyrtarizohen përmes zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të Serbisë brenda Republikës së Kosovës. Pas 11 majit, në 23 komuna të vendit do të ketë kryetar paralel”. Gjatë gjithë kohës, ndërtesat e institucioneve të Kosovës dhe administratës ndërkombëtare janë siguruar nga policia vendore dhe ajo ndërkombëtare. Protestuesit në vazhdimësi kanë brohoritur kundër UNMIK-ut, Qeverisë së Kosovës, kundër pakos së Ahtisarit e Kushtetutës së Kosovës. Thirrje të shumta mbështesnin vetëvendosjen dhe UÇK-në. Kurti theksoi se kjo protestë nuk ishte kundër bashkësisë ndërkombëtare, por kërkon të nxisë komunitetin ndërkombëtar të mos qeverisë dhe administrojë me Kosovën, por ta ndihmojë atë që të qeveriset vetë. Ndërkohë shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, mbështeti se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, më 11 maj, është e papranueshme dhe se qëllim i mbajtjes së tyre është formimi i strukturave paralele dhe ilegale të Serbisë. Ryker përsëriti se mbajtja e këtyre zgjedhjeve është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe se rezultati i tyre nuk është i vlefshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›