E Diel, 1 Nëntor 2026

Forum/ Flasin për pronat e komuniteteve fetare, kryetari i Kulteve, kreu i Agjencisë së Kthimit të Pronave

Rasim Hasanaj, kreu i
Komitetit Shtetëror të Kulteve

Ne si strukturë shtetërore kemi të drejtë të gjejmë dokumentacionin për të gjitha komunitetet fetare. Sigurisht që ne kujdesemi që të jemi të saktë për pjesën e kërkimit dhe gjetjes së tyre në arkiva, konfirmimit të dokumentacionit të hershëm dhe të vërtetë. Për sa u takon problemeve që kanë komunitetet mes tyre për shkak të pronave, mendoj se ata duhet t‘i zgjidhin vetë këto probleme. Ne na takon vetëm gjetja e dokumenteve që përfshijnë pronat e komuniteteve fetare, pjesa tjetër zgjidhet nga vetë ata.

Dua të sqaroj këtu se detyra jonë si institucion shtetëror është vetëm gjetja e dokumenteve origjinale në arkivin e shtetit dhe vendosja e tyre në dispozicion, duke përfshirë këtu pronat e të gjitha komuniteteve. Nga ana tjetër, një ligj i miratuar këtë vit nga qeveria mundëson kompensimin e komuniteteve fetare për sa i takon financimit apo rimbursimit për objektet të cilat kanë nevojë për ndryshime.

Elvis Cefa, Agjencia e
Kthimit dhe Kompensimit të Pronave

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është një institucion i cili gjithmonë, edhe në vitet e kaluara, kujdeset për zgjidhjen e problemeve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Në rastin e komuniteteve fetare ne kemi për detyrë të verifikojmë dhe të kalojmë në shqyrtim të gjithë dokumentacionin. Agjencia, nëpërmjet kontrolleve në të gjithë vendin, merr në mënyrë të saktë informacionin e nevojshëm, duke konfirmuar dosjen e dokumentacioneve dhe më pas për të dalë në përfundime të sakta lidhur me këto.

Komunitetet fetare janë parë me përparësi si tani edhe në të kaluarën. Kemi shqyrtuar dokumentacione të të gjitha përfaqësive fetare. Roli ynë është në radhë të parë për të shqyrtuar dosjet e dokumentacioneve e më pas për të vazhduar me ecurinë e etapave të tjera të procedurave, kthimin apo kompensimin.

Ilir Kulla, ish-kryetari
i Komunitetit të Kulteve

Bashkësitë fetare shqiptare janë pronarët më të mëdhenj të tokave, qoftë si troje, qoftë si prona. Pas viteve 1991 është kthyer një pjesë e pronave, kryesisht ajo që ka qenë fizikisht e mundshme.

Qeveritë në vazhdim, qoftë socialiste apo qoftë qeveria aktuale, sidomos qeveria aktuale, ka bërë një seri reformash në legjislacion, të cilat favorizojnë komunitetet në rikthimin e pronave. Janë pronat e lira dhe pronat për kompensim. Janë ato të cilat janë zënë, aty ku ka pasur ndërtime, të cilat janë për kompensim. Sipas Kushtetutës, shteti është i detyruar të lidhë marrëveshje me komunitetet fetare. Një marrëveshje është kryer në kohën e qeverisë socialiste dhe tre të tjera gjatë qeverisjes demokratike. Në një nga pikat e marrëveshjes është theksuar që shteti duhet të mundësojë rikthim dhe kompensim të pronave me të gjitha komunitetet fetare. Por ka pasur dhe një problem teknik, që shpesh dokumentacioni nuk ka qenë i plotë. Bashkësitë fetare kanë shkuar në arkiv, për shkak se një pjesë e dokumentacionit është djegur. Dua të theksoj se ka pasur përpjekje për rikthim dhe kompensim të pronave, pastaj mënyra si bashkësitë i menaxhojnë ato është pjesë e tyre.

Ilir Hoxholli, anëtar i Këshillit
drejtues në Komunitetin Mysliman

Debati mbi pronat është debat i përgjithshëm dhe opinioni i gjerë dashje pa dashje ka një informacion të mjaftueshëm mbi katrahurën që ka ndodhur mbi të drejtën e pronës. Por ai shikohet me skepticizëm kur bëhet fjalë për pronat e institucioneve fetare. Prandaj thjesht dua të ndalem për një sqarim të shkurtër. Prona e myslimanëve quhet vakëf, pasi ajo është pronë private dhe i lihet trashëgim Komunitetit të Myslimanëve, që të shfrytëzohet në dobi të fesë. Pra ajo lihet trashëgim, njëlloj si trashëgimtarit të familjes dhe ka të njëjtën rëndësi juridike. Por një pronë e tillë merr një rëndësi, sepse ajo lihet për hir të Zotit, kjo e bën atë të veçantë dhe të ndjeshme në botën shpirtërore. Duhet të ishte në prioritetin e shtetit që këto prona të kishin përparësi dhe jo me procese zvarritëse. Komuniteti Mysliman është më i pasuri në prona dhe njëkohësisht më i varfëri në buxhetin e tij. Kjo si shkak i asaj që përmendëm më lart dhe i keqmenaxhimit të vetë KMSH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›