E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi Ekonomik, Topi: “Kosova duhet të ishte pjesë e takimit”

Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori pjesë në punimet e Forumit të 6-të Ekonomik Rajonal për Evropën Juglindore, që po zhvillohet në Sarajevë. Në praninë e pjesëmarrësve në këtë Forum, Kryetarit të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zheljko Komshiç, Presidentit të Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiç, Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe zëvendëspresidentit të Bullgarisë, Angel Marin, Kryetari i Shtetit shqiptar kritikoi mungesën e Kosovës në këtë takim. Ai ka theksuar se politika e sotme në Ballkan nuk mund të jetë më arti i sherrit, që e kërkon atë edhe atje ku ai nuk ekziston, që e diagnostikon atë sipas oreksit dhe interesave të vogla që nxiten dhe frymëzohen nga formula të gabuara historike për të zgjidhur çështje të tilla të rëndësishme. “Politika e sotme në Ballkan është bashkëpunimi konkret pa dallim ndërmjet të gjitha vendeve tona”, - tha ai. Në këtë këndvështrim, presidenti Topi tha se shpresonte që ky takim të realizojë qëllimet e tij, por në të njëjtën kohë shprehu edhe një herë bindjen se mungesa e përfaqësuesve të Republikës së Kosovës dhe e zërit të tyre është një ngërç që duhet të kapërcehet. “Nuk mund të mbyllim sytë e të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë në kufijtë tanë dhe as të përpiqemi të pengojmë një rrjedhje normale të ngjarjeve, të cilat jo vetëm që mbyllën njëherë e përgjithmonë krizën më të madhe politike dhe ushtarake të rajonit tonë, por krijuan baza të shëndosha për stabilitet, paqe dhe siguri”, - vuri në dukje Presidenti i Republikës. Më tej ai shprehu vlerësimet për organizimin dhe rëndësinë e mbajtjes së këtij Forumi në kuadër të bashkëpunimit rajonal ekonomik. Ai theksoi se ka ardhur pikërisht koha që qeveritë e vendeve të Ballkanit të bëjnë më shumë për projekte konkrete të bashkëpunimit në sektorin e energjitikës, në ndërtimin e linjave të interkonjeksionit, investime të përbashkëta në prodhimin e energjisë, krijimin e një sistemi të unifikuar energjetik, përcaktimin e drejtimit të zhvillimit të energjive të specializuara mbi bazën e efektivitetit dhe eficencës që sigurojnë burimet në secilin prej vendeve tona si dhe për të lobuar dhe përgatitur së bashku projektet e furnizimit me gaz. Pasi është ndalur në disa prej problemeve më të spikatura, me të cilat përballet në përgjithësi ekonomia e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Presidenti i Republikës shprehu mendimin se “bashkëpunimi i shpejtë dhe efektiv në fushat e mësipërme, para së gjithash, do ti integronte në mënyrë të natyrshme tregjet vendore të Ballkanit në kuadër të CEFTA-s, për shkak të karakteristikave pothuajse të ngjashme, kusht paraprak e i domosdoshëm ky për integrimin e secilit vend të Ballkanit në Bashkimin Evropian, për shkak të kërkesës reale të zbatimit të standardeve në shtetet anëtare të BE-së. Gjatë qëndrimit të tij në Sarajevë, Topi zhvilloi një takim dhe me homologun kroat, Stjepan Mesiç. Dy krerët e shtetit vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve tona, por njëkohësisht theksuan nevojën e rritjes së marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare mes të gjitha vendeve të rajonit ballkanik. Të dy homologët diskutuan për situatën në rajon dhe në mënyrë të veçantë, për shtetin më të ri të Ballkanit, Kosovën, duke ndarë të njëjtën pikëpamje mbi të ardhmen e saj dhe për sa i përket rëndësisë së njohjes së Kosovës nga sa më shumë vende të tjera dhe përfshirjes së saj në tryeza dhe nisma të përbashkëta rajonale. Një tjetër takimi i Topit ishte ai me Kryetarin e Klubit të Ballkanit për Paqen, Osmo Vatresh.

Ky lajm është publikuar: 21/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›