E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në Bashkimin Evropian Moisiu: “Politika duhet të bëjë më shumë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Ish-presidenti Alfred Moisiu, në seminarin ndërkombëtar për përafrimin e eksperiencave të tranzicionit midis Spanjës dhe vendit tonë, i bëri thirrje politikës shqiptare që ti përkushtohet më tepër faktit të integrimit të Shqipërisë në BE. “Vendi ynë ka probleme me drejtësinë dhe zbatimin e ligjit, ndërkohë politika jonë merret vetëm me problemet e saj, duke harruar votën e elektoratit”, - tha ai. Sipas tij, pakujdesia e politikës ka bërë që zhvillimi i Shqipërisë të jetë i ngadaltë. Ndërkohë që ministri i Shtetit, Genc Pollo, i kërkoi opozitës që të kthehej në Kuvend, pasi kjo nuk do të ndihmonte vetëm anëtarësimin në NATO, por është dhe një detyrim i opozitës ndaj elektoratit që i dha votën. “Shpesh rezultati që del nga votimet është i papëlqyeshëm, por gjithsesi, vullneti i elektoratit nuk mund të kundërshtohet”, - theksoi Pollo. Sipas tij, rruga drejt demokracisë është e lodhshme dhe duhet bashkëpunimi i opozitës ashtu dhe i mazhorancës.

Ky lajm është publikuar: 21/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›