Mblidhet Komisioni për Reformën Zgjedhore, Xhafaj i PS-së: “Dekreti i Presidentit sjell vonesa”
Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore ka zhvilluar dje mbledhjen e parë në të cilën ka marrë në shqyrtim dekretin e presidentit për dy nenet që lidhen me përcaktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ndryshe nga deklarimet e kaluara, përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komision e kanë cilësuar dekretin e presidentit të gabuar dhe me pasoja të rënda për procesin zgjedhor. Sipas bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj, arsyetimi i presidentit Bamir Topi për dy nenet është tërësisht i gabuar. Sipas tij, do të vonohet riformatimi i KQZ-së dhe vëna në punë e tij, si dhe do të shkaktohen vonesa në hartimin e listës së zgjedhësve. Xhafaj konfirmoi për gazetarët se Komisioni do të përqendrohet vetëm në dy nenet që janë kritikuar nga presidenti, ndërsa nuk do të rishikohen kërkesat e partive të vogla. “Zgjatja e procesit të rishqyrtimit të Kodit Zgjedhor vë në pikëpyetje integritetin e procesit elektoral, pasi tejkalohen afatet për realizimin e disa detyrimeve. Komisioni u ringrit mbi bazën e vendimit të seancës plenare dhe objekti i punës së tij është shumë i kufizuar, pasi ka si detyrë që të shqyrtojë vetëm dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin e Kodit Zgjedhor. Dekreti i presidentit nuk është gjë tjetër veçse një pretekst, pasi duke shfrytëzuar të drejtën e vetos për ta kthyer ligjin, ai solli sot një pasojë shumë të madhe. Sot ne kemi një situatë tjetër. Nuk mund të themi më se Kodi Zgjedhor është në kohën optimale për procesin elektoral. Përkundrazi, në këtë aspekt, dekreti i presidentit për kthimin e Kodit Zgjedhor ka luajtur një rol negativ, pasi e ka futur të gjithë procesin në ngërç dhe ka krijuar mjaft probleme”, - është shprehur Xhafaj. Sipas tij, shtyrja e miratimit të Kodit rrezikon zbatimin e afateve optimale për realizimin e një sërë detyrimesh për realizimin e një procesi zgjedhor sipas standardeve. “Kemi një sërë elementesh të rëndësishme, siç janë formatimi i KQZ-së, sepse nëse zgjatet ky proces, atëherë krijohen vonesa në nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse nga ky institucion, të cilat minimalisht duhet të bëhen 6 muaj përpara zgjedhjeve. Gjithashtu krijohen probleme në nxjerrjen e akteve nënligjore për kartat e identitetit, për listat e zgjedhësve dhe një sërë problemesh të tjera që vënë në pikëpyetje integritetin e procesit”,- ka vënë në dukje Xhafaj.
17 Dhjetor 2008