Forumi Rinor i Partisë së Gjelbër, në radhën e partive të gjelbra europiane
Forumi Rinor i Partisë së Gjelbër anëtarësohet në federatën rinore të partive të gjelbërta evropiane. Sipas deklaratës së Forumit Rinor, rreth 100 të rinj të Gjelbër nga të gjithë vendet e Evropës morën pjesë në asamblenë e përgjithshme të Federatës Rinore të Gjelbër Europiane, që u mbajt me datën 23-26 prill në Maastricht të Hollandës. Bëhet e ditur se të rinjtë e Gjelbër përzgjodhën një komitet ekzekutiv të ri, si edhe 6 organizata të reja, të cilat u bënë anëtare të plota të familjes së madhe FYEG(Federatës Rinore të Gjelbër Europiane.)
Gjithashtu, në deklaratë thuhet se Forumi Rinor i Gjelbër i Shqipërisë ishte në kandidaturë për tu bërë anëtare me të drejta të plota në këtë federatë. Forumi nën prezantimin e delegatit të tij, Luis Jazxhi u votua me 43 vota pro. Ky është një plus i madh për forumin rinor në rang ndërkombëtar, si edhe për rrugën e tij drejt aktiviteteve të ndryshme në mbështetje të mjedisit dhe shoqërisë civile, vlerësohet në deklaratë. Forumi Rinor, ashtu si edhe Partia e Gjelbër tashmë janë anëtare të së Gjelbrës Europiane.