Pronarët, marrëveshje për deputetë me Polin e Lirisë
Shoqata Pronësi me Drejtësi, ka nënshkruar marrëveshjen me Polin e Lirisë, për të qenë pjesë e këtij koalicioni zgjedhor në kuadër të procesit elektoral të zgjedhjeve të 28 qershorit. Marrëveshja e nënshkruar parashikon që përfaqësuesit e shoqatës Pronësi me Drejtësi do të futen në listat e deputetëve, të parë në qarkun e Durrësit, të dytë në Tiranë, Vlorë, Shkodër, Fier dhe Korçë.
Shoqata firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit zgjedhor me Polin e Lirisë duke deklaruar se Partia Republikane ka tradhtuar çështjen e pronës. Ndërkohë që për përfaqësuesit e koalicionit politik të Polit të Lirisë, zgjidhja e çështjes së pronësisë në Shqipëri dhe në veçanti kthimi dhe kompensimi i pronës, pronarëve të ligjshëm, përbën një ndër prioritetet kryesore politike. Na propozuan për kandidatë për deputetë në të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe për ti dhënë përgjigjen Partisë Republikane që pronarët shqiptarë, të cilët kërkojnë pronat e tyre dhe bijtë e tyre, kanë të drejtë morale, që kësaj partie për tradhtinë që i bëri mos të japi asnjë gjysmë votë, deklaroi kryetar i shoqatës Pronësi me drejtësi. Ndërsa kreu i LZHK, Dashamir Shehi në emër të këtij koalicioni u shpreh se kjo shoqatë është e mirëpritur në Polin e Lirisë, si një kategori e shpërfillur nga qeverisja e djathtë. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i partisë Republikane, e cila nëpërmjet nënkryetarit Arian Madhi e ka cilësuar të nxituar vendimin e shoqatës Pronësi me drejtësi për bashkëpunimin e saj më të fundit. Me gjithë vlerësimet që kemi për shoqatën, duhet të pohojmë që kritikat e disa individëve të saj ndaj veprimtarisë së partisë Republikane për çështjen e pronave, inspirohen nga qëllimet e interesit të tyre të ngushtë, politik. Nuk përfaqësojnë gjykimin e shumicës të interesit të pronarëve, të ligjshëm, sqaroi Madhi.