E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku Rama kërkon në Kushtetuese bllokimin e hetimeve për korrupsionin bashkiak

Korrupsion, ngritje karteli mafioz të firmave të ndërtimit, korrupsion me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe ngritje taksash jashtë parametrave normalë për qytetarët e Tiranës, përbëjnë tablonë e zymtë të qeverisjes së kryebashkiakut të Tiranës. Megjithëse PD ka ngritur një komision Hetimor, i vetmi qëllim i këtij komisioni është loja me kungulleshkat dhe jo kapja për brirësh e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku i Tiranës e ka privatizuar këtë institucion duke e kthyer në pronë private të tij dhe të grupeve të interesit që ai përfaqëson. I ndodhur përballë një fakti të kryer, Edi Rama, kërkon me çdo kusht të paralizojë një komision hetimor që mund të zbardhë dokumentacionin e bunkerit të Bashkisë së Tiranës, bunker që nuk hapet nga asnjë institucion shtetëror kontrollues. Pikërisht dje  Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, për krijimin e komisionit parlamentar hetimor ngritur ndaj tij, lidhur me procedurat korruptive të dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës. Mësohet se në kërkesën e formuluar nga zyra juridike e Bashkisë vihen në dukje elementët që sipas saj, bien ndesh me Kushtetutën. Bashkia kërkon paraprakisht pezullimin e zbatimit të vendimit deri në marrjen e vendimit nga ana e kësaj gjykate, gjë që do të thotë se deri në vendimin final, komisioni hetimor parlamentar të mos e ushtrojë funksionin e tij. Një tjetër kërkesë, që Bashkia e Tiranës i parashtron Gjykatës Kushtetuese është edhe zgjidhja e konfliktit të kompetencave mes pushteteve. Bashkia argumenton se vendimi i Kuvendit bie ndesh me kartën e autonomisë së pushtetit vendor, sipas të cilës pushteti vendor, ashtu si edhe pushteti qendror është i zgjedhur me votën e popullit dhe pushtetet nuk mund të ushtrojnë të drejtën e kontrollit mbi njëri-tjetrin. Ankimimi i çështjes në Kushtetuese u paralajmërua pak ditë më parë edhe nga ekspertja juridike e bashkisë, e cila vlerësoi se komisioni i iniciuar nga mazhoranca është i jashtëligjshëm dhe antikushtetues. Drejtorja juridike pranë Bashkisë së Tiranës pak ditë më parë ka deklaruar kërkesën e saj që i ka parashtruar Edi Ramës për tiu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e këtij vendimi, i cili sipas saj është i papajtueshëm me Kushtetutën, dhe njëkohësisht për të marrë masën e pezullimit dhe zbatimit deri në shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese. Drejtorja juridike e bashkisë, Migrena Vishko argumentoi se ngritja e komisionit vjen në kundërshtim të plotë me ligjin për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit, i cili përcakton se këto komisione nuk mund të ngrihen 4 muaj para mbarimit të afatit të mandatit të Parlamentit, ndërkohë që nga ana e saj partia Demokratike këmbëngul se çdo gjë po zhvillohet brenda ligjit dhe po zbatohet vetëm ligji. Pasi kam shqyrtuar kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë mbi të cilat ngrihen komisionet hetimore parlamentare, rezulton se komisioni parlamentar është i jashtëligjshëm dhe antikushtetues dhe nuk mund të prodhojë asnjë pasojë ligjore. Ngritja e komisionit vjen në kundërshtim të plotë me nenin 4, pika 6 të ligjit Nr. 8891, datë 02.05.2002 për Organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit, i cili përcakton se këto komisione nuk mund të ngrihen 4 muaj para mbarimit të afatit të mandatit të parlamentit, është shprehur Vishka.. Duke shpjeguar juridikisht ligjin ajo sqaroi Vishko sqaroi se në vendimet e Gjykatës Kushtetuese duket qartazi se Parlamenti i Shqipërisë nuk mund kurrsesi të hetojë një pushtet të pavarur si pushteti lokal. Ky komision është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet themelore të sanksionuara në të duke përfshirë, parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve (neni 7) si dhe parimin e autonomisë vendore (neni 13). Vendimet e Gjykatës Kushtetuese (Nr. 18/2003; apo vendimi Nr. 26/2006), shprehen qartazi se Parlamenti i Shqipërisë nuk mund kurrsesi të hetojë një pushtet të pavarur si pushteti lokal, nënvizoj drejtoresha juridike në Bashkinë e Tiranës. Komisioni hetimor për procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit, i miratuar me një vendim të Kuvendit ka objekt hetimin e mënyrave abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi. Në këtë mënyrë, Bashkia e Tiranës i ka kërkuar dje Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin si të pa pajtueshëm me Kushtetutën sfidën e dytë, që maxhoranca prodhon ndaj kryebashkiakut Rama, atë të ngritjes së një komisioni hetimorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›