Meta: LSI garanton uljen e çmimeve të produkteve bazë nga 20% në 10%
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka vizituar dje një furrë buke në Laprakë të Tiranës. Meta bashkëbisedoi me punonjësit e furrës së bukës, si dhe me qytetarë të ndryshëm që ndodheshin për të blerë bukën në ato momente. Biseda është përqendruar kryesisht në koston e lartë të jetesës në vend, çmimet e larta dhe papunësinë e madhe që është një plagë e rëndë sot për shqiptarët.
Pasi ka shprehur vlerësime për kushtet sanitare dhe shërbimin ndaj klientëve në këtë furrë buke, ish-kryeministri Meta simbolikisht për disa momente ka punuar së bashku me furrtarët e tjerë në pjekjen e bukëve. Meta u shpreh se buka është një produkt jetik i domosdoshëm, por për fat të keq sot në këtë kohë krize, qytetarët e kanë të vështirë që ta blejnë me çmimet aktuale, jo vetëm bukën por dhe shumë produkte të tjera të rëndësishme të shportës.LSI-ja ka një plan për të ulur koston e jetesës, sidomos për produktet bazë, për produktet e shportës dhe një nga masat që ne do të marrim është përgjysmimi i TVSH-së për këto produkte nga 20% në 10 %, në mënyrë që të ndihmojmë në uljen e çmimeve, theksoi Meta. Kreu i LSI garantoi dhe njëherë se e gjithë politika që do të ndjekë, Lëvizja Socialiste për Integrim synon pikërisht për të mbrojtur shtresat më të varfra dhe me të ardhura më të pakta të shoqërisë nga kjo rritje të kostos të jetesës dhe njëkohësisht dhe për të ndihmuar biznese të tilla, të cilat janë jetike për koston e jetesës së qytetarëve shqiptarë.