E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kam gjyshen sëmurë”!



Skënder Minxhozi

Dy të burgosur, të dënuar me 8 dhe 17 vjet për vrasje me dashje dhe një i tretë, i dënuar me 12 vjet për trafik narkotikesh, kanë marrë mes 12 dhe 16 qershorit të këtij viti leje të posaçme nga drejtoria e burgut, pasi që të tre kanë pasur të njëjtin hall: kanë pasur gjyshen të sëmurë. Informacionin e habitshëm e jep Partia Socialiste në Kongresin e saj të Jashtëzakonshëm, në formën e provës materiale për përfshirjen e botës së krimit ordiner në aferat elektorale të 28 qershorit, natyrisht për llogari dhe në favor të qeverisë. Pjesë të një materiali filmik prej njëzet minutash, këto prova nominale përfshihen në një listë që pretendohet të përbëhet nga të paktën 57 persona me precedentë të rëndë penalë dhe në mesin e vuajtjes së dënimit, të liruar në prag të zgjedhjeve për të ushtruar dhunë e presion mbi kandidatët e opozitës, mbi komisionerët dhe qendrat e votimit e të numërimit të votave. Para një liste të tillë impresionuese në emra, vite burgimi dhe shkaqe dënimi, akti simbolik i lirimit të plakës së gjorë Feride Bako për të parë nipërit e saj tingëllon veçanërisht mikroskopik dhe pa peshë.
Akuza e opozitës thotë se janë shkelur rëndë kriteret e dhënies së lejeve për këta të burgosur, sipas opozitës. Janë dhënë leje për të dënuar që s’e kanë kryer ende gjysmën e dënimit, një kriter që rëndom kërkohet për ta fituar lejen në fjalë. Janë dhënë leje për shkaqe fatkeqësish periferike dhe të dorës së dytë, ndërkohë që rrethanat e lirimit të përkohshëm duhej të ishin shumë të rënda. Aq më tepër tingëllon qesharake dhe pa sens e gjitha kjo komedi gjyshërish e nipash burgaxhinj, kur sheh se sa formal dhe i përsëritur është motivi i lejes në listën që u publikua nga opozita. Natyrisht, informacionet e mësipërme kërkonin dhe kërkojnë një verifikim përmes kanaleve të specializuara, por heshtja e organeve të shtetit lidhur me këtë listë i jep asaj kredite dhe vlerën e një të vërtete të paktën të pjesshme.
Socialistët pretendojnë se kanë gjetur çelësin e artë të kontestimit të zgjedhjeve. Pra, se kemi të bëjmë me një rast të pastër trafikimi interesash mes botës së krimit dhe qeverisë. Zgjedhjet, ky teatër i madh i vesit njerëzor të të gjitha ngjyrave, kanë qenë shpesh pika e takimit të politikanit hileqar lëkurëbardhë e zëhollë me të fortin e lagjes, që e ka parë më shumë se një herë derën e burgut për drogë, vrasje apo prostituta të trafikuara në Belgjikë a Britani të Madhe. Kjo simbiozë, veçanërisht shqetësuese në një vend të pastabilizuar si Shqipëria, ndodhet pas 28 qershorit nën akuzën e opozitës socialiste.
Kongresi i fundit i PS-së konfirmoi disa të vërteta që diheshin. Mes tyre, ajo e kontestimit të rezultatit zgjedhor dhe e rikandidimit të Edi Ramës, ishin më të palëvizshmet dhe më të sigurtat. Megjithatë, emfaza dhe patosi me të cilin gjatë Kongresit iu mëshua idesë së vjedhjes së zgjedhjeve e eklipsoi pjesën tjetër të problemeve dhe defekteve të fushatës së majtë. Kjo është gjithsesi një temë tjetër.
Insistimi i Ramës (për arsye thjesht taktike) lidhur me peshën reale dhe rolin e manipulimeve zgjedhore nuk ka pse e dëmton vetë fenomenin e manipulimit të zgjedhjeve, i cili, edhe kësaj radhe duket se i ka influencuar jo pak shifrat zyrtare të zgjedhjeve.
Përtej faktit që u shkelën të gjitha afatet zyrtare të numërimit të votave, përtej bllokimit të qëllimshëm dhe procesit të administrimit të votës pak a shumë në të gjithë territorin, përtej presioneve deri në kufijtë e dhunës së hapur fizike pranë qendrave të votimit, përtej gjitha makinerisë së shëmtuar shtetërore që përdori miliona euro dhe të gjitha burimet e tjera të imagjinueshme për të fituar, sugjestionuar, apo ndoshta edhe blerë apo vjedhur votën e shqiptarëve – përtej kësaj ndërmarrjeje gjigante financiare e logjistike, qëndron ideja sa e thjeshtë, aq dhe dëshpëruese, se Shqipëria s’mundi të bëjë dot zgjedhje të lira e të ndershme.
PS-ja thotë sot se i kanë vjedhur votat. Nuk ka dyshim se ajo s’mund ta ngrejë dot vetëm mbi këtë kauzë alibinë e humbjes së qershorit. Porse ajo që sot thotë opozita është thënë e shkruar tashmë nga ndërkombëtarët shumë javë para se raporti final i vëzhgimit të shohë dritën e botimit. Një e treta e procesit të numërimit të votave, aty ku vëzhguan anëtarët e stafit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, ka qenë “i keq, ose shumë i keq”! Imagjinoni se cila është pesha e kësaj deklarate nëse merret parasysh se vetë rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit ka shënuar praktikisht një barazim mes atyre që votonin ikjen e Sali Berishës dhe atyre që kërkonin rikonfirmimin e tij.
Shqipëria nuk zhvilloi dot zgjedhje të lira, dhe kjo është një gjë shumë e rëndë për imazhin e vendit në epokën e NATO-s ku kemi hyrë. Nëse e shkëpusim nga konteksti i përdorimit me ose pa vend që po i bën politika për interesat e saj, dosja e 28 qershorit mbetet gjithaq e errët dhe e mbarsur me dyshime, paqartësi dhe manipulim. Refuzimi i kancelarive të Perëndimit për të uruar prej muajsh fitimtarët është një heshtje që flet. Sepse më 28 qershor u votua me të dënuar nëpër këmbë, që i kishin gjyshet të sëmura, me KQZ që shkelte ligjin sa herë i tekej dhe me një Drejtësi që s’mundi të japë dot drejtësi në momentin kur u thirr në kauzë për të folur për zgjedhjet. Nëse kjo nuk është një alibi e mjaftueshme për fatet personale në lojën e kreut të PS-së, kjo është mëse e bollshme për të kuptuar se sa thellë ka hedhur rrënjë në këtë vend precedenti i prekjes së votës.

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›