Forumi i Gruas Socialiste: Shteti, i shurdhët për krimet brenda familjes”
Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj për rastet e shumta të krimit dhe dhunës brenda familjes. Duke ju referuar një numri jo të pakët tragjedish të ndodhura në familjet shqiptare kohët e fundit, Partia Socialiste nëpërmjet koordinatores së Forumit të Gruas Socialiste ka deklaruar se qeveria nuk po bën asgjë për të zgjidhur këtë fenomen shqetësues. “Krimi dhe dhuna në familje përbëjnë sot një nga fenomenet më shqetësuese për shoqërinë tonë. Dhe ajo që është më problematike, ka të bëjë me faktin se viktimat kryesore janë gratë, të cilat vazhdojnë të vuajnë dita ditës, jo vetëm diskriminimin gjinor, përjashtimin nga tregu i punës, varfërinë ekstreme, vështirësitë në sistemin shëndetësor dhe arsimor, izolimin social, por edhe indiferentizmin total të shtetit në lidhje me dhunën dhe krimin në familje. I bëjmë thirrje qeverisë të mos tregohet e shurdhët ndaj kambanave të vazhdueshme të dhunës në familje, por të punojë për parandalimin e këtij fenomeni, që po kthehet sot në plagën më të rëndë të shoqërisë. Ne kërkojmë me forcë krijimin e një mjedisi ku dhuna të mos shikohet me si diçka normale, por si një akt që duhet ndëshkuar nga e gjithë shoqëria”, tha kryekoordinatorja e Forumit të Gruas Socialiste, Ermira Danaj. Ajo theksoi se PS është kundër çdo forme dhune dhe diskriminimi gjinor.
15 Gusht 2008