E Diel, 1 Nëntor 2026

“MEICO” jashtë çdo kontrolli, Ministria e Mbrojtjes ia fshihte kontratat KLSH-së



Habjon Hasani
Kontratat që ka lidhur Ministria e Mbrojtjes (mes të cilave edhe ajo me “Albademil” në Gërdec) në pjesën dërrmuese të tyre janë mbajtur të fshehura dhe tërësisht në hije. Ky është një pohim që gjendet në raportin voluminoz të Kontrollit të Lartë të Shtetit për kontrollet e ushtruara në Ministrinë e Mbrojtjes (për vitet 2005-2007). Në këtë raport KLSH-ja ka botuar analizën ekonomike vetëm për ato kontrata të cilat ka mundur të sigurojë, ndërsa sikur të mos mjaftonte ky fakt, edhe auditi i brendshëm i kësaj ministrie, në disa raste të përsëritura nuk ka zbatuar udhëzimet e KLSH-së lidhur me investigimin e thelluar të disa kontratave specifike. “Aktualisht, Sektori i Monitorimit të Projekteve pranë Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve të Burimeve të Mbrojtjes nuk ka mundur të grumbullojë informacionin dhe dokumentacionin në lidhje me të gjitha marrëveshjet e lidhura dhe që funksionojnë në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes”, - shkruhet në raportin e KLSH-së, ndërsa duket se jo vetëm audituesit, por edhe drejtoritë përkatëse të projekteve zyrtarisht kanë deklaruar se nuk kanë mundur të akumulojnë informacionin dhe dokumentacionin e duhur.
Humnera “MEICO”
Në rastin e kontrollit të ushtruar mbi ndërmarrjen e shitblerjes së armëve, “MEICO”, duket se fshehtësia dhe mungesa e kontrollit është më flagrante se kurrë. Nëse u referohesh termave dhe frymës së këtij raporti duket se drejtuesit dhe punonjësit e ndërmarrjes “MEICO” kanë gëzuar dhe “dorën e ngrohtë” të ekipit auditues të kësaj ministrie, të cilët jo vetëm që nuk kanë mundur të kenë akses në të gjithë dokumentacionin zyrtar, por edhe në rastet kur kanë konstatuar shkelje nuk kanë deklaruar emrat e autorëve apo në ndonjë rast edhe shumën ekzakte të dëmit. “Në programin e punës ‘Për auditimin e plotë të ndërmarrjes ‘MEICO’ janë përcaktuar emërtimi i subjektit që do të auditohet, kuadri ligjor, lloji i auditimit, afati dhe periudha e auditimit, kostoja në ditë, çështjet që do të auditohen dhe grupi i auditimit. Në programin e punës nr. 2319, datë 16.04.2007 nuk është përcaktuar përgjegjësi i grupit të auditimit. Në dosje nuk ndodhen shënimet e marra nga audituesit gjatë auditimit. Në urdhrin nr. 1324, datë 09.08.2007 ‘Për dhënie masash disiplinore dhe administrative në përfundim të auditimit të plotë, të ushtruar në ndërmarrjen ‘MEICO’ dalë në mbështetje të Memorandumit nr. 2204, datë 23.07.2007, drejtuar ministrit të Mbrojtjes, përgjegjësia dhe arkëtimi i shumave të konsideruara dëm ekonomik për buxhetin e shtetit nuk ka dalë me emra konkretë, ngandonjëherë nuk janë cilësuar dhe shumat përkatëse për arkëtim”, - shkruhet e zezë mbi të bardhë në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Dështimi i auditit
”Për verifikimin e zbatimit të detyrave të lëna, Drejtoria e Auditimit të Brendshëm nuk ka parashikuar dhe nuk ka ushtruar auditime të veçanta. Kjo drejtori shpjegon se këto auditime nuk janë parashikuar, pasi burimet njerëzore kanë qenë të pamjaftueshme, por ndjekja e tyre bëhet gjatë auditimit të plotë si pikë e veçantë në përbërje të auditimit, si dhe në sajë të raportimit të subjekteve të auditura sipas afateve të përcaktuar në manual brenda 15 ditëve nga marrja e raportit final të auditimit”, - shkruhet në raportin e KLSH-së lidhur me kontrollin e cunguar dhe “thyerjen e detyrave” që KLSH-ja i kishte caktuar auditit. Por duket se auditi ka “fshehur” dhe gjurmët e disa dosjeve, ndërsa KLSH-ja thekson se shumë dosje me shkelje nuk janë depozituar në arkivë apo edhe se në disa dosje mungojnë firmat e autorëve të tyre. “Në kundërshtim me Ligjin nr. 9154, datë 06.11.2003 ‘Për arkivat’, kreu VI ‘Dorëzimi i dokumenteve në arkivat shtetërorë’, neni 42, me përfundimin e auditimit dhe me mbarimin e afatit të shërbimit operativ, dosjet e krijuara për periudhën objekt kontrolli nuk janë dorëzuar në arkivë. Fleta e inventarit të dosjes nuk është firmosur i ngarkuari për mbikëqyrjen e auditit dhe nuk është miratuar nga titullari i institucionit apo personi i autorizuar prej tij”, - shkruhet në raportin e KLSH-së.

KLSH: Mediu reduktoi numrin e audituesve

Në kuadër të reformave në Ministrinë e Mbrojtjes, duket se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka reduktuar vit pas viti dhe numrin e njerëzve që kishin për detyrë të kontrollonin aktivitetin e kësaj ministrie. Në bazë të organikës së institucionit, organizimi i auditimit të brendshëm në ministri është në nivel drejtorie dhe përbëhet nga drejtori, përgjegjësi i Sektorit të Auditimit, përgjegjësi i Sektorit të Hartimit të Procedurave dhe 4 auditues. Drejtoria e Auditimit të Brendshëm, nga 7 punonjës, 2 prej tyre janë specialistë finance, 5 janë ekonomistë të tjerë, ndërsa 2 janë juristë. Strukturat vartëse janë organizuar në nivel dege e zyre. “Për shkak të ristrukturimit të Forcave të Armatosura janë riorganizuar dhe strukturat e auditimit. Kështu, të tria strukturat e auditimit në Forcat (Tokësore, Detare, Ajrore) janë shkrirë në një strukturë të vetme e quajtur “Komanda e Forcës së Bashkuar”. Strukturat e vartësisë sipas organikës përbëhen nga 13 auditues, në fakt janë të punësuar 11 auditues dhe përbëhen nga 8 financierë, 2 ekonomistë të tjerë dhe 1 specialist i fushave të tjera. Numri i audituesve, në raport me detyrat audituese, nuk është i plotë, pasi për vitin 2005 dhe 2006 rezulton 1 auditues më pak, ndërsa për vitin 2007 rezultojnë 2 auditues me pak”, - shkruhet në raport.

Paradoksi, auditi edhe i suksesshëm, edhe i dështuar

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, herë pas here vërehet një “dobësi” lidhur me vlerësimin që i bëhet punës së ekipit auditues. Ndërsa theksohet se kontrollet e auditit kanë qenë të përcipta (si pasojë e mosndjekjes së çështjeve), nga ana tjetër raporti bën edhe vlerësime për shkallën e zbulueshmërisë dhe realizimit të planit. “Nga treguesit e mësipërm rezulton se, për vitin 2006, plani i auditimit së bashku me verifikimet është realizuar në masën 72,7 për qind ose 12 auditime më pak, nga të cilët 8 auditime të plota dhe 5 auditime tematike. Për këtë vit është kryer dhe 1 verifikim. Për 9-mujorin e vitit 2007, plani i auditimeve është realizuar në masën 108 për qind ose 2 auditime me tepër. Tejkalimi i planit të auditimeve ka ardhur si rezultat i tejkalimit të auditimeve tematike, ku janë kryer më tepër 10 auditime. Ndonëse është tejkaluar plani i auditimeve tematike nuk është realizuar plani i auditime të plota, i cili është realizuar në masën 60 për qind ose 8 auditime më pak”, - shkruhet në raport.

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›