Forumi i Krans Montanës, Topi, i ftuar në Francë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të një delegacioni zyrtar u nis dje në mesditë për në Paris (Francë), ku do të marrë pjesën në Forumin e Krans Montanës që do të mbahet në datat 12-13 nëntor 2009 në pallatin e Asamblesë Kombëtare në kryeqytetin francez. “Bota pas G-20-s, qeverisja globale dhe lufta kundër krimit transnacional” është tema e këtij forumi, në një ndër seancat plenare të të cilit kryetari i shtetit do të mbajë fjalën e tij të rastit si i ftuar i veçantë. Të ftuar të posaçëm në këtë forum së bashku me Presidentin e Republikës, do të jenë dhe Princi Nikolaus von Liechtenstein, ambasador në Belgjikë dhe Bashkimin Evropian, si dhe zonja Ygete Labele, Kryetare e Transparency International. Forumi do të drejtohet nga kryetari dhe themeluesi i Forumit të Krans Montanës, Jean-Paul Carteron.