Rifillimi i protestave të opozitës, reformat, vizat dhe bojkoti parlamentar

Politika shqiptare ka hyrë tashmë në një vit të ri, por duke mbartur ende problemet e vitit të kaluar. 2010-a pritet të na rezervojë që në ditët e para të tij kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit dhe thirrjen e mazhorancës ndaj saj për t’i dhënë fund bojkotit parlamentar. Përveç situatës së pazgjidhur politike, dy partitë e mëdha, ajo demokratike dhe socialiste, pritet të kenë një aktivitet të ngjeshur për sa i përket jetës partiake. Por nga viti 2010 politika dhe qytetarët me padurim presin momentin kur shqiptarët do të lëvizin të lirë pa viza në vendet e Bashkimit Europian dhe po kështu do të avancohet me procesin e afrimit të Shqipërisë në Europë.
Integrimi
Qeveria do ta nisë me intensitet punën e saj në këtë fillimviti, nisur edhe nga fakti se në muajin mars Shqipëria do të dorëzojë pranë Komisionit Europian pyetësorin e plotësuar me përgjigjet e rreth 2200 pyetjeve. Dorëzimi i pyetësorit brenda këtyre tre muajve të parë të këtij viti i jep shanse të mira Shqipërisë për të arritur marrjen e statusit të vendit kandidat në BE brenda 2010-s. Por më shumë se gjithçka tjetër shqiptarët presin në muajin qershor të këtij viti edhe liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian. Në mënyrë të përsëritur dhe me bindje të plotë, përfaqësuesit e mazhorancës kanë theksuar se në muajin qershor të këtij viti Shqipëria do të përfitojë një regjim të liberalizuar vizash. Në muajt e parë të këtij viti pritet të përforcohen edhe më shumë zërat e faktorit ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhjeje mes PD-së dhe PS-së, në mënyrë që proceset integruese të Shqipërisë të mos hasin pengesa.
Politika
Hapja e kutive, bojkoti parlamentar, rrëzimi i qeverisë, pritet të jenë edhe frazat më të përdorura nga opozita në fillimin e këtij viti, nisur edhe nga fakti se ende nuk është gjetur një konsensus politik mes opozitës dhe mazhorancës. Edhe ky vit do të shoqërohet me protestat e opozitës për hapjen e kutive të votimit, të cilat priten të fillojnë në datën 10 janar. Muaji mars pritet të jetë edhe një muaj kritik për sa i përket situatës politike në vend, për shkak të Kushtetues, e cila parashikon ndërprerjen e mandatit për deputetët socialistë, që ende nuk e kanë bërë betimin në Kuvend. Për sa u përket ngjarjeve të brendshme partiake, PS-ja pritet të mbajë në muajin prill Kongresin, ku do të miratohen ndryshime në statut dhe në program. Nga ana tjetër, PD-ja dhe drejtuesit e lartë të mazhorancës do të vazhdojnë thirrjet e tyre për kthimin e opozitës në Parlament, duke i ofruar kompromise, por jo shkeljen e ligjeve dhe cenimin e pavarësisë së pushteteve. PD-ja vetë në javën e tretë të këtij muaji pritet të mbledhë Këshillin Kombëtar, i cili do të zgjedhë edhe anëtarët e rinj të kryesisë demokrate, nënkryetarëve dhe sekretariatit qendror të partisë.