E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Hetime për shkaktarët, ndihmë për familjet e pastreha

Kryeministri Sali Berisha shkoi dje pas ngjarjes së rëndë në Gjirokastër për të parë nga afër pasojat e shembjes së pallatit pesëkatësh.
Kryeministri fillimisht shkoi në lagjen “11 Janari” të Gjirokastrës ku pa nga afër ndërtesën e shkatërruar dhe foli me banorët.
Berisha tha se janë marrë të gjitha masat për të përballuar situatën ndërsa theksoi.
Ai kërkoi nga të gjitha strukturat që së pari puna të përqendrohet në përballimin e situatës, nxjerrjen nga rrënojat e personave që mund të kenë mbetur nën to, si dhe ndihmën mjekësore për të lënduarit nga kjo ngjarje, të cilët ndodhen në Spitalin e Gjirokastrës.
“Ne do të bëjmë gjithçka është e mundur për të nxjerrë shpirtrat e atyre që ndodhen nën gërmadha”.
Këtu shefi i qeverisë pranoi se shifrat nuk janë të sakta për të humburit.
“Nuk dimë sa janë. Mund të jenë tre, pesë apo dhe më shumë njerëz në gërmadha. Pasi nuk janë vetëm familjarë të humbur, ka dyshime dhe për punëtorë që gjendeshin afër, te pallati në ndërtim e sipër ngjitur me atë që u shemb”, pohoi kryeministri.
Këtu, ai evidentoi se specialistët në vendngjarje, po gjenden mes dilemash për kërkimet në gërmadha. Duke folur për ndërhyrjet në rrënoja, Berisha tha se autoritetet janë në dilemë për të proceduar me kërkimet e të humburve. Ai tha se dilema qëndron nëse duhet të shembet krejtësisht pallati dhe të kryhen kërkime të plota apo kërkimet të kryhen që tani, por shtoi se në këtë rast, kjo paraqet rrezikshmëri të lartë.
Kryeministri vizitoi gjithashtu edhe të plagosurit nga kjo ngjarje në spitalin rajonal të Gjirokastrës, ku u interesua për gjendjen e tyre shëndetësore.
Berisha evidentoi se Spitali i Gjirokastrës është në gatishmëri të plotë të situatës duke shtuar se nga Tirana ka ardhur edhe një ekip mjekësor për të ndihmuar.
Në tërësi, situata e të plagosurve nuk paraqet rrezik.
Midis të tjerave Kryeministri, Berisha njoftoi se ndërsa po ndihmohen të plagosurit, po ndërmerren masa dhe për sistemimin e familjarëve që kanë humbur strehimin dhe po vazhdohet me insistim për të gjetur rrugën më shpëtuese të mundshme, për të ndihmuar ata të cilët janë nën rrënoja.
Më tej, kryeministri siguroi se Qeveria do të bëjë çdo përpjekje që të mund të zgjidhë problemet më të mprehta të situatës së krijuar.
Gjithashtu ai shtoi se duhet të bëhet dhe do të bëhet një hetim i plotë, i gjithanshëm i të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje tragjike, e cila ka tronditur gjithë Gjirokastrën. Kryeministri siguroi se do të vihen para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës për këtë ngjarje dhe nuk do të tolerohen më veprime të tilla që vënë në rrezik jetën e njerëzve.
“E gjitha kjo, ju siguroj se do të jetë objekt i një hetimi të plotë e të gjithanshëm, por më parë të bëjmë çdo gjë për të shpëtuar ata që gjenden nën rrënoja. Sigurisht që aty do të ketë një hetim të plotë e të gjithanshëm për të nxjerrë në këtë rast, çdo përgjegjësi për këtë ngjarje shumë të rëndë”, u shpreh kryeministri.
“Hetimi ka filluar dhe policia kriminale, prokuroria, policia gjyqësore e të tjera struktura, po merren me çështjen e hetimit të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë”, tregoi Berisha.

Genc Ruli, deputeti i Gjirokastrës: “Të gjithë banorët u evakuuan nga zona, vazhdojnë kërkimet për tre të humbur
Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, deputet i Gjirokastrës mbërriti dje me helikopter, vetëm pak minuta pas ngjarjes, në vendngjarje. Ruli konfirmoi se “tre persona mund të jenë nën rrënoja, mes tyre një grua me fëmijën e saj”. “Janë evakuuar 20 persona, nga pjesa e pallatit të shembur si dhe nga rrënojat”, tha Ruli.
Deputeti i Gjirokastrës u shpreh se nuk mendohet se përveç këtyre 3 personave mund të ketë banorë të tjerë të cilët mund të kenë ngelur nën rrënoja.

Alfred Olli, kreu i Emergjencave Civile: Do të vazhdojnë kërkimet për gjetjen edhe ët tri personave të humbur
Kreu i emergjencave civile Alfred Olli është shprehur se do të vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit të personave të humbur.
Sipas Ollit, është vërtetuar tashmë identiteti i personave të humbur dhe po bëhet e mundur lokalizimi dhe shpëtimi i banorëve.
Olli gjithashtu u shpreh se tashmë është lokalizuar vendi i një personi të humbur që ka ngelur nën rrënoja.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›