E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikualifikim në banesat e sheshit “Rilindja”

Autori i Lajmit: red.
Projekti i Bashkisë së Tiranës për rikualifikimin urban të Unazës së kryeqytetit, tashmë po vazhdon me segmentin verior sheshi "Rilindja"-Bërryli. Nëpërmjet këtij projekti përmirësohet hapësira publike, duke ndërhyrë në trotuaret anash Unazës dhe mes blloqeve të banimit si dhe tek fasadat e pallateve që e konturojnë këtë ambient. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, "tjetërsimi i imazhit ka të bëjë me ndërhyrjen në fasadat e pallateve, krijimin e lulishteve të vogla mes tyre jo vetëm në rrugë kryesore, por edhe në zonat urbane afër tyre, duke i bërë ato të ngjajnë si të reja". Aktualisht po punohet për përmirësimin e fasadave të ndërtesave nëpërmjet suvatimit, duke ndikur në cilësinë e kushteve termike të banesave dhe më pas në tjetërsimin e imazhit përmes ngjyrave. Punimet në segmentin sheshi "Rilindja" -Bërryli, janë faza e parë e projektit të rehabilitimit të Unazës ekzistuese, ndërsa më vonë do të ndërhyhet edhe në rrugë të tjera të kryeqytetit. Vlera e fazës së parë të këtij projekti, që do të zgjatë 3 muaj, llogaritet në 98 milionë lekë. Punimet në këtë fazë po realizohen nga firma ANK.shpk.
Ky lajm është publikuar: 11/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›